Pavarësisht se në opinion egziston përshtypja se presidentja Vjosa Osmani nuk ka arritur të sigurojë ndonjë takim të nivelit të lartë ndërkombëtarë, ministri i Bujqësisë nga Lista Guxo, Faton Peci, këtë çështje e sheh ndryshe.
Peci, jo që s’pajtohet me këtë përceptim të opinionit, por vlerëson se presidentja Osmani po e përfaqëson Kosovën në pika të caktuara edhe më mirë se sa presidenti Rugova në kohën e tij kur ishte në krye të Kosovës.
“Unë mendoj se presidentja Vjosa Osmani, bashkë me presidentin Ibrahim Rugova, është në mesin e dy figurave që Kosovës i kanë bërë pëfaqësimin më dinjitoz. Në të kaluarën Rugova, e tani presidentja Osmani, është duke e përfaqësuar Kosovën në mënyrë po aq dinjitoze, e në disa aspekte, edhe përtej kësaj”, ka thënë Peci.
Në pyetjen e gazetarit, nëse Peci ishte duke thënë se presidentja Osmani, është duke e prezantuar Kosovën edhe më mirë se sa presidenti Rugova, ai e ka konfirmuar duke u përgjigjur me ‘po’, dhe më pas ka vazhduar ta spjegojë se pse mendon ashtu.
“Po, presidenti Rugova e ka pasur një afinitet të jashtëzakonshëm me kriju miq e aleanca, por megjithatë secili i ka pjesët më të forta apo më të dobëta. Pjesa më e fortë e presidentes aktuale është prezentimi shumë dinjitoz para forumeve, ku audiencë mundet me pas figura shumë të rëndësishme politike, të komunitetit të biznesit, e të fushave tjera. Kështu që presidentja Osmani e ka edhe këtë afinitet që me e prezantu Kosovën në mënyrë briliante. Avantazhi tjetër i saj, është njohja në nivel shumë të lartë i gjuhëve të huaja, që ia krijon asaj aureolën asaj të një prezantimi shumë të lartë e dinjitoz edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Peci, në Prime Time në Kanal 10.