Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kishin një debat të ashpër në seancën e sotme.
Kurti ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është marrë më seriozisht nga asnjë qeveri e mëparshme sesa Qeveria e tij.
Në seancën plenare ku po diskutohet për zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi, shefi i Qeverisë i është përgjigjur kritikave të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se në vend për zgjidhjen përfundimtare, dialogu është kthyer për çështje teknike. “Dialogu po zhvillohet nga teknikët”, tha Haradinaj, duke aluduar në zv.kryeministrin Besnik Bislimi.
“Prandaj ju kisha lutur që të më ndihmoni mos thoni që njohja reciproke vjen sepse i bëni dëm Kosovës. Njohja reciproke është në qendër. Fjalia e sekretarit Blinken thotë se ShBA dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie në vlerat e përbashkëta demokratike. Ne jemi të pavarur nuk është dialogu vetëm për neve por ndërmjet nesh dhe Serbisë. Dialogu që na kërkohet është për statusin e raportit më Serbinë jo Kosovës. 4 gjera i përmend Biden, forcimi i sundimit të ligjit, mbrojtja e pakicave, forcimi i rritjes ekonomik, sigurimi i një marrëveshje të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke”, tha Kurti.
“Dialogu nuk është marrë më seriozisht sesa nga qeveria jonë. Ne jemi serioz në dialog e bisedime. E trajtojmë me urgjencë çështjen e të pagjeturve. Në letrën e Blinkenit përmendet çështja e energjisë në veri. Ju deputeti Haradinaj keni qenë kryeministër dhe dialogun ia patët lënë ish-presidentit Thaçi. E patët bërë grupin me Fatmir Limaj e Shpend Ahmetin. Pra nuk mund të ju marr seriozisht”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë për dialogun Kosovë-Serbi, derisa tha se kjo çështje po kthehet në dialog teknik.
“Çështja e dialogut Kosovë-Serbi është një ndër çështjet e me interes nacional dhe po ashtu kjo çështje e ka nxjerr para sfidave të brendshme politike por edhe ndëretnike përfshirë edhe zhvillimet në veri të Kosovës e në rrugëtimin ndërkombëtare. Ende sot s’e kemi liberalizimin e vizave edhe sot rikthehemi në dialog të stërzgjatur, nuk është dialog teknik por dialog i teknikëve që udhëtojnë në Bruksel e që na duhet me prit kur duhet me ardhë”, tha Haradinaj.