Përfaqësuesi i shoqatës së familjarëve të personave të zhdukur, Bajram Qerkini ka marr disa telefonata shqetësuese, pasi ai deklaroi se qeveria Kurti nuk është angazhuar edhe me tej për fatin e personave të pagjetur.
Sipas Qerkinit, Kurti u premtoi familjarëve se nuk do të ketë bisedime me Serbinë pa u zgjidhur fati i personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Madje zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, sot gjatë ditës e ka ftuar Qerkinin në një takim për t’i diskutuar deklaratat e tij.
Por, Qerkini në një intervistë për Gazetën Insajderi ka thënë që u qëndron prapa deklaratave të tij me përkrahjen e familjarëve.
“Kishin pas kujtu që na nuk guxojmë as me i kritiku. Plani program për të ardhmen që ne e kemi lyp nuk e kemi pa. kjo çështje ka stagnu. Sipas këtyre fituesve për ndryshim që kanë premtu nuk kemi asnjë plan program për të ardhmen. Kjo na jep të kuptohet se është ka punohet zero”, ka thënë Qerkini.
Si përfaqësues i familjarëve, Qerkini shprehet i zhgënjyer me kryeministrin Kurti duke thënë se nuk e ka mbajtur asnjë premtim.
“Ka premtu shumë gjëra. Është thënë qe nuk duhet biseduar më me Brukselin pa gjetjen e fatit të personave të pagjetur. Që 5 muaj nuk kemi përgjigje. Ata kanë thënë qe çështja e të pagjeturve është numër një por po del që targat janë numër një”, tha Qerkini.
Madje ai ka një mesazh për Kurtin duke i thëne se “mund të ma mbyllësh gojën vetëm me plan program konkret për te pagjeturit”.
“O kryeministër je ekzekutiv, i ki organet ekzekutive, o kryeministër dilju familjarëve hakut për çka edhe je zgjedh për çka edhe ke premtu përndryshe mos mendo se ne do të ndalemi deri të zbardhet fati i të pagjeturve”, tha Qerkini.
Sipas tij, Kurti që nga marrja e pozitës së kryeministrit nuk është interesuar asnjëherë për fatin e të pagjeturve, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të Qerkinit për ta takuar atë.