Një rast i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën nacionale Vushtrri–Mitrovicë, afër lokalit “Binjakët”, ku është djegur një veturë me vlerë të konsiderueshme.
Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e kaluar, kur një Audi A3 është përfshirë nga flakët. Vlera e veturës vlerësohet të jetë afro 15 mijë euro.
Sipas informacioneve ekskluzive të Gazetës Sinjali, vetura dyshohet se është në pronësi të Meriton Aliut, i cili aktualisht ndodhet në vuajtje të dënimit në burgun e Smrekonicës.
Pas marrjes së informatës, njësitë e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin, ndërkohë që edhe njësia e hetimeve ka nisur ekzaminimin e rastit, transmeton Gazeta Papirus.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti është cilësuar si “Zjarrvënie” dhe është proceduar për hetim të mëtejmë.