Kur partitë politike marrin pushtetin në Kosovë, zyrat u mbesin hapësira boshe dhe monotone ku nuk do të shkojë askush. Lëvizja Vetëvendosje, e cila po udhëheq me vendin tash e një vit po ashtu ka reduktuar ngjarjet që i kishte të shpeshta. Në mungesë të tyre në faqen e saj të rrjeteve sociale VV po i publikon aktivitetet e Qeverisë. Por, Kurti kohë pas kohë dëshiron të tregojë se partia nuk është ndalur. Dje, mblodhi Këshllin e Përgjithshëm, foli për VV’në e qeverisjen si dhe ndau certifikata për aktivistët që ndjekin shkollën politike të partisë.
Ka munguar rreth 20 ditë në Kosovë e po aq gjatë, ndoshta edhe më shumë, në zyrat e partisë. Selia e VV’së nuk është më aq atraktive sa në kohën kur aty shkonin përditë Albin Kurti e figurat tjera të larta të Vetëvendosjes.
Aty u bë e ditur se VV tashmë i ka shpallur zgjedhjet dhe se ato janë duke u mbajtur tani gjithandej Kosovës.
“Në pjesën e dytë mbledhja vazhdoi me diskutime sa i përket zgjedhjeve të brendshme dhe dinamikat në drejtim të procesve zgjedhore që aktualisht po mbahen në nivel pikash gjithandej Kosovës. Qendrat tona do të kenë edhe angazhim të shtuar edhe përfshirje më të madhe të anëtarësisë me synim forcimin e organizatës dhe respektimin e demokracisë së brendshme” njoftonte VV teksa Kurti po qëndronte në SHBA.
Bislimi dhe VV u bënë thirrje anëtarësisë së partisë të dalin në votimet partiake.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! fton anëtarësinë e saj gjithandej nëpër komunat e Kosovës, por edhe në mërgatë, të bashkohen në procesin e brendshëm zgjedhor, të zgjedhin e të zgjidhen, prej nga do të dalin struktura të reja e legjitime dhe një organizatë me energji të re për sfidat që kemi përpara” thuhej në njoftim.
Kur u kthye nga SHBA dhe Zvicra Kurti zhvilloi disa aktivitete si kryeministër. Të dielën e rezervoi për parti.
Në njoftimin që u bë pas mbledhjes u tha se në mbledhjen e 47’të të Këshillit të Përgjithshëm u “diskutuan çështje të rëndësishme politike dhe organizative”, pa u në mënyrë specifike zgjedhjet.
“Te çështjet organizative ku tash në qendër kemi procesin e brendshëm zgjedhor, Kryetari Kurti foli për rëndësinë që kanë dy organet e reja Gratë për VETËVENDOSJE!-n dhe Rinia për VETËVENDOSJE!-n në fuqizimin e mëtejmë të grave dhe rinisë përbrenda organizatës, dhe për nevojën e organizimit të mërgatës në një formë të re më të përshtatshme dhe efikase” njoftoi tutje VV’ja.
Në këtë takim, si qeveritar, Kurti njoftoi Këshillin e Përgjithshëm, mbledhjet e të cilit i drejton Hydajet Hyseni në cilësin në cilësinë e Kryetarit.
Si për të treguar se nuk e ka lënë anash partinë, aktivizmin, Kurti u kujdes që t’u japë aktivistëve të VV’së që vijojnë mësimet politike në këtë subjekt certifikatat pas përfundimit të Nivelit Teorik të Shkollës Politike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Çfarë është shkolla politike e VV’së?
Në qershor të vitit 2019 Edison Jakurti, drejtues i Sekretariatit për Formimin Ideo Politik, bënte një njoftim për këtë shkollë.
“Të premten mbajtëm takimin e Drejtuesëve/eve të Sekretariatit të Formimit Ideo-politik në nivelin e dytë dhe tretë organizativ.
Përveç mbarëvajtjes së përgjithshme të punëve në Sekretariat, temë kyçe e diskutimit ishte mbarëvajtja e nivelit bazik të Shkollës Politike. Si asnjëherë më parë, aktualisht 19 Qendra kanë drejtues/e, më shumë se gjysma e të cilëve/ave veç e kanë filluar ose kryer këtë nivel në Qendrat përkatëse. Të tjerët/at janë duke i kryer përgatitjet për të filluar në vjeshtë.
Për planet e vjeshtës foli aktivisti Pavjo Gjini, i cili nga tash do ta koordinojë Sekretariatin në nivelin e tretë organizativ. Ai përmendi fillimin e nivelit bazik në disa Qendra, përgatitjet për gjeneratën e dytë të nivelit teorik dhe atij bazik ku tashmë janë kryer ligjëratat, përgatitjet për nivelin ekzekutiv dhe bashkëpunimet potenciale, dhe organizimin e kursit të anglishtes, si pjesë e kurseve të Shkollës. Përvojat e gatishmëria e gjithësecilit/ës në këtë proces do të na shërbejnë për t’u përmirësuar e shtuar dinamikën në të ardhmen”.