Nexhat Halili, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Vitisë është zgjedhur drejtor i departamentit të Prokurimit ne Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), institucion i cili brenda vitit zhvillon prokurime me dhjetëra miliona euro.
Në bazë të dokumenteve të siguruara shihet se me 12 maj të këtij viti komisioni prej pesë anëtareve ka votuar Halilin me 89,1 pikë, respektivisht 63 pikë në teste si dhe 26,1 pikë me testin me gojë.
Front Online, po ashtu ka gjetur se në deklarimin e pasurisë për vitin 2023 Halili e ka deklaruar atë si asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Vitisë.
Halilin ka mohuar që partia në pushtet ka ndikuar në përzgjedhjen e tij.
Ai ka thënë se i ka plotësuar kushtet dhe se Vetëvendosje nuk ka ndikuar aspak në zgjedhjen e tij.
“Jo, nuk ka pasur ndikim, pse me pas ndikim. E kam plotësuar dokumentacionin, i kam plotësuar kushtet, të gjitha kriteret, nuk e di dhe nuk po e shoh që ka pasur ndikim”, ka thënë ai për Front Online.
Në këtë konkurs kishin aplikuar edhe kandidatë të tjerë, por që të njëjti kishin munguar në testim me shkrim.
I pyetur për këtë Halili ka thënë se nuk e din arsyen se përse kandidatët e tjerë nuk kanë qenë prezent në test.
“Ajo është dëshirë e tyre, nuk kanë marrë pjesë, nuk e di pse nuk kanë marrë pjesë ata”, ka thënë shkurt ai.