Kjo letër që do t’ia hapte dyert për në zonën e mundësive, u bë sherri që e la pa para e e bllokoi në Kosovë për një gjysmë dekade.
Krejt çka ndodhi, pikënisje ka bankat shkollore në të cilat, personazhi i Kiksit, sot 40 vjeçar, nuk u ul asnjëherë, ndonëse emri i shkollës “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë figuronte në dokumentet e përfundimit të shkollimit të mesëm të tij.
Notat i mori pa prekur asnjëherë kurrizin në ulëset e klasës, e pa shkelur asnjëherë këmba e tij në këtë qytet, raporton Kiks Kosova.
N.S., 40-vjeçari nga Durrësi , në vitin 2021 vendosi të shkonte në Norvegji për të punuar, mirëpo mungesa e një diplome të shkollës së mesme ishte pengesë.
Por, siç zakonshëm gjithmonë del një shqiptar i cili të bën zgjidhje për çdo gjë, legale e ilegale, njëjtë ndodhi edhe kësaj here.
40 vjeçari fare lehtë bëri zgjidhje për diplomën e munguar. Ai e bleu atë copë letre, që realisht ka vlerë të madhe në shkollimin dhe edukimin e gjeneratave, nga një ferizajas.
Hamdi Nrecaj, shitësi i diplomave, kësaj here të shkollës së mesme, doli se po i falsifikonte ato, meqë 40 vjeçari, le që mbeti pa shkollë të mesme, por doli edhe me dokument të falsifikuar.
Duke mos mjaftuar një i mashtruar, N.S. tregoi se kur shkoi në Norvegji, takoi edhe tre persona të tjerë të cilët kishin blerë diplomat nga po i njëjti person, dhe kinse ishin diplomuar në po të njëjtën shkollë.
40 vjeçari, në rrëfimin e tij për Kiks Kosova, ka treguar se si Nrecaj ia kishte përpiluar mirë e mirë historinë e tij, duke e bërë më të besueshme.
Ai e kishte siguruar klientin e tij se ka autoritet duke e përmendur faktin se ishte edhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Klankosova.tv