Qeveria Kurti në muajin tetor, hoqi masën e ndalimit të importeve për mallrat nga Serbia. Me heqjen e kësaj mase ka filluar të rritet edhe prania e mallrave serbe në Kosovë. Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm për dy muaj në vendin tonë kanë hyrë mbi 26 milionë euro mallra.
Mallrat e Serbisë vështirë se mund të largohen ndonjëherë nga Kosova. Prania e tyre vetëm është rikthyer përsëri në këtë vit.
Madje vetëm në muajin nëntor, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në vendin tonë kanë hyrë afro 16 milionë euro mallra.
Dallimi mes muajit nëntor dhe tetor të këtij viti është për 5 milionë euro rritje, shkruan Demokracia.com.
“Importi për muajin tetor të këtij viti 10,829,626.30 euro. Kurse, për muajin nëntor është 15,072,599.16 euro”.
E derisa Serbia ka rritur pranin e mallrave në vendin tonë, ne për në Serbi kemi dërguar më pak mallra.
Të dhënat e Doganës tregojnë dallimin mes muajt tetor dhe nëntor të këtij viti.
“Eksporti për muajin tetor është 4,714,305.66 euro. Kurse, për muajin nëntor është 3,786,986.18 euro”.
Edhe të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave kanë treguar se eksporti i mallrave në muajin nëntor 2024 kishte vlerën 93,9 milionë euro, ndërsa importi 566,9 milionë euro, që është një rritje prej 22,8% për eksport, si dhe një ulje prej (-4,5%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
“Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 72,1 milionë euro, ose 12,7% të importeve të përgjithshme, me një rënje prej (-5,1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,1%), Shqipëria (3,7%), Serbia (3,2%).”
Kurse importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 242,5 milionë euro, ose 42,8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (6,3%). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,3%), Italia (5,1%), Greqia (3,7%), etj.
Kosova importon shumicën e produkteve nga vendet e rajonit dhe më gjerë.
Prej vitesh, produktet nga Serbia janë ndër më dominueset në tregun e Kosovës.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, Kosova importoi mallra nga Serbia me vlerë mbi 372 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 ishte afërsisht 199 milionë euro. Në vitin 2021, ajo ishte 306.3 milionë. Në vitin 2020, ajo ishte vetëm 174 milionë.
Qeveria e Kosovës e pati vendosur ndalimin ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye sigurie, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe.
Megjithëse ata u liruan më vonë, vendimi për mallrat serbe mbeti në fuqi.
Mirëpo, më 7 tetor të këtij viti, Qeveria e Kosovës e zëvendësoi vendimin për ndalimin e importit të mallrave me origjinë nga Serbia me një të ri, që lejon importin, por vetëm përmes kufirit në Merdare dhe me kontroll të detajuar të sigurisë.
Grupi “Besa Besë” ka bërë thirrje për bojkotim të produkteve serbe.
Thirrja e tyre ka ardhur pas ndryshimit të masës së Qeverisë së Kosovës për mallrat serbe, të cilat tani mund të hyjnë në Kosovë për kontrolle të shtuara dhe të detajuara nga Dogana e Kosovës.
“Ne u lutemi të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mbarë opinionit që të bojkotojmë produktet serbe. Askush më shumë se qytetarët e Kosovës brez pas brezi nuk e kanë vuajtur nënshkrimin dhe torturën që u bë ndaj popullatës shqiptare pasojat e asaj torture vuajtur nënshkrimin dhe torturën që u bë ndaj popullatës shqiptare, pasojat e asaj torture të regjimit të Milloshoviqit i kanë vuajtur breza të tërp. Prandaj, s’ka vendim qeveritar, as forcë politike më të madhe se vendimi qytetar. Qytetarët dashur, atdheu është i Juaji, prandaj vendosni që t’i bojkotoni produktet serbe”, thuhet në komunikatën e grupit “Besa Besë”.
Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon shumë më shumë sesa eksporton. Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton nën 1 miliard.