Një grua ka vdekur, ndërsa ngasësi i veturës dhe tre fëmijë kanë pësuar lëndime si pasojë e një vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” mëngjesin e së shtunës.
Një gjë të tillë e ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin ditor, teksa njofton se vetura është rrokullisur si pasojë e mos-përshtatjes së shpejtësisë.
AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET – Autostrada Ibrahim Rugova (km-24) 02.09.2023 – 06:10. Drejtuesi mashkull kosovar, derisa ishte duke drejtuar veturën, dyshohet nga pakujdesia dhe mospërshtatja shpejtësisë kushteve të rrugës ka shkaktuar vet aksident, duke u rrokullisur me veturë”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia njofton se, si shkak i kësaj, një grua nga lëndimet vdekjeprurëse ka vdekur përgjatë transportimit për në spital. Ndërkaq, ngasësi i veturës dhe të tre fëmijët janë dërguar për trajtim mjekësor.