Moti me reshje të dendura të shiut që solli edhe vërshime gjatë ditës së djeshme ka shkaktuar edhe aksidente të ndryshme trafiku, me të lënduar e dëme materiale. Përveç kohës, shkaktarë dyshohet të jenë edhe mosrespektimi i rregullave e pakujdesia gjatë vozitjes, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se njëri nga këto aksidente ka ndodhur në Reshtan të Suharekës, ku dy vetura janë përplasur mes vete si pasojë e manovrimeve të bëra nga njëri prej shoferëve, i cili dyshohet se duke tentuar t’i ikë aksidentit, ka goditur veturën tjetër. Përveç dëmeve, dy persona janë lënduar, të cilët më pas janë dërguar në spital për trajtim, teksa Policia ka dalë në vendin e ngjarjes.
Edhe një tjetër aksident është raportuar në Suharekë, në rrugën “Brigada 123”, ku një veturë ka goditur një 19-vjeçar në vendkalimin për këmbësor. I dyshuari e ka përplasur këmbësorin derisa i njëjti po kalonte rrugën, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore. Si në shumë raste të tjera, edhe këtë herë, shoferi i dyshuar ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Në atë rajon ka ndodhur edhe një aksident, ku po ashtu janë goditur dy këmbësore. Në rrugën “Wesley Clark” të Prizrenit, një 20-vjeçar, ka goditur dy këmbësore derisa të njëjtat po kalonin rrugën. I riu dyshohet se ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe dhe nuk është ndalur fare te semaforët. Dy vajzat që u goditën janë dërguar në spital për trajtim, teksa Policia ka intervenuar.
Ndërkohë edhe në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, një shofer i moshës 22-vjeçare po dyshohet se ka shkaktuar një aksident. Në fshatin Nadakovc, i riu ka goditur një veturë, si pasojë e mosmbajtjes së distancës. Për shkak të përplasjes, shoferët e dy veturave janë lënduar, me ç’rast kanë marrë tretman mjekësor.
Edhe në Gjilan, një veturë ka goditur një këmbësor te kuvendi komunal, si pasojë e kushteve dhe pakujdesisë. Viktima ishte duke e kaluar rrugën, kur u përplas nga automjeti, duke pësuar kështu lëndime trupore, për çka kërkoi ndihmë mjekësore. Për rastin është vënë në dijeni edhe Policia, që ka dalë më pas në vendin e ngjarjes.
Kujtojmë se Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron se situatë e njëjtë me vërshime do të jetë deri në mesditë.