Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka deklaruar se situata në veri dhe marrëdhëniet Prishtinë-Beograd ishin në fokus të takimit të sotëm të tij me shefat e misioneve të OSBE-së në Serbi, Kosovë dhe Maqedoni, Jan Bratu, Michael Devenport dhe Kilian Vall.
Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se ishte inkurajuese të dëgjonte mendimet e tyre mbi perspektivat e mundshme të planit 9-pikësh për deeskalimin e situatës që Osmani ka paraqitur si Kryesues i OSBE-së.
“Udhërrëfyesi i ofruar nxit atmosferë dialogu dhe bashkëpunimi. Krahas kësaj, pata mundësinë të prezantoj prioritetet e Kryesimit tonë të OSBE-së të fokusuar në Europën Juglindore që synojnë forcimin e besimit, luftën kundër korrupsionit dhe veprimin klimatik. Pajtimi është i një rëndësie të veçantë si një hap kyç drejt arritjes së paqes së qëndrueshme dhe bashkëpunimit në rajon”.
“Falënderim i veçantë për ambasadorët Bratu, Davenport dhe Vall për punën dhe përkushtimin e tyre shumë të çmuar në përpjekjet për stabilitet dhe prosperitet”, shkruan ai.