Situata e krijuar në veri të Republikës së Kosovës dhe rreziku për eskalim më të madh të situatës ka bërë që NATO të sjell në Kosovë 700 trupa shtesë.
Megjithatë Aleanca Veri-Atlantike ka vendosur në gatishmëri të lartë edhe një batalion tjetër rezervë nëse do të jetë e nevojshme.
Këtë e ka konfirmuar Admirali i NATO-s, Stuart B Munsch gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it në Kosovë.
Munsch ka zbarkuar sot në Kosovë dhe është takuar gjithashtu edhe me ambasadorët e QUINT-it për të diskutuar de-eskalimin dhe kthimin në normalitet.
“Diskutimet e tyre përfshinin dislokimin e 700 trupave shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe dislokimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë në rast se nevojiten trupa shtesë”, thuhet në njoftimin e NATO-s.