Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të pa-paguar në katër komunat veriore.
Supremja ka konstatuar se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, drejtë e kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kanë aplikuar të drejtën materiale me mënyrën e vendosjes, përkatësisht aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së paditësit Avokati i Popullit, dhe anulimin e vendimit të paditurës ZRRE,
“Prandaj, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, ka njoftuar Supremja.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor kishte aprovuar kërkesëpadinë e Avokatit të Popullit për anulimin e vendimit të Zyrë së Rregullatorit të Energjisë elektrike për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore qytetarëve të Republikës së Kosovës. I njëjti aktgjykim e obligonte ZRRE-në që të ndërmarrë veprime që e obligojnë KEDS-in që të bëjë kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, në vlerë prej 40 milionë e 855.480.00 euro.
Për 18 vjet me radhë, nga 1999 deri më 2017, rryma e shpenzuar nga banorët e katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), u është faturuar konsumatorëve të viseve të tjera të Kosovës dhe faturat për komunat në veri ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.
Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në fund të vitit 2017 kishte vendosur që kjo praktikë të pezullohet sepse ishte joligjore.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor 2021, në bazë të padisë së ushtruar nga institucioni i Avokatit të Popullit, ka detyruar Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën nga 2012-2017 kanë paguar rrymën e konsumatorëve në katër komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe.
Vendimi për pagesën e rrymës së banorëve serbë në veri të Kosovës më herët e kishte marrë vetë ZRRE-ja, kurse për inkasimin e faturave, të cilat kanë përfshirë edhe shpenzimet në veri, qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë të njoftuar.
Avokati i Popullit i Kosovës ka ushtruar padi kundër vendimit të Zyrës ë Rregullatorit për Energji në Prishtinë në vitin 2012, i cili sipas ZRRE-së ka shërbyer si bazë për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore, qytetarëve që jetojnë në pjesë të tjera të vendit.