Vendi mund të bëhet me Kryeprokuror të ri në fund të muajit, pasi ka mbi një vit që organi më i lartë i ndjekjes udhëhiqet nga një ushtrues detyre. Një vendim nga Presidentja është paralajmëruar dhe një vendim më në fund të merret. Nuk dihet nëse vendimi i Vjosa Osmanit do ta përfundojë procesin e zgjedhjes së Kryeprokuorit apo do ta nisë atë edhe njëherë nga fillimi.
Në fund të këtij muaji mund të mësohet nëse vendi do të bëhet me Kryeprokuror të ri apo jo. Ka kaluar një vit prej kur presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim, ndërsa tash duket se ajo do ta marrë vendimin për ta dekretuar apo jo Blerim Isufajn në krye të organit më të lartë të ndjekjes në vend.
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin për Këshillin Prokurorial në fund të marsit, dhe tani nga Presidenca thonë se shefja e shtetit po pret përfundimin e procedurave tjera gjyqësore të kundërkandidatëve të Isufajt që ta marrë një vendim më në fund.
“Presidentja e ka sqaruar publikisht se duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë. Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani.
“Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, ka deklaruar ai për Arbresh.
KPK-ja kërkoi vendim të shpejtë, Presidentja u ankua për “presion të paligjshëm”
Presidentja Vjosa Osmani së fundmi e ka akuzuar Këshillin Prokuorial për “presion të papranueshëm dhe të paligjshëm” mbi të, lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Të mërkurën KPK ka kërkuar që Osmani ta dekretojë me urgjencë Blerim Isufajn në pozitën e Kryeprokurorit, pasi janë bërë mbi një vit që kur propozimi i tyre po qëndron pa epilog në Presidencë.
Pas kësaj, Osmani ia ka dërguar një letër kryesuesit të KPK-së, Jetish Malokut.
“Shpreh kundërshtimin tim ndaj tendencës që përmes interpretimeve të shtrembëruara të vendimeve të gjykatave në lidhje me procedurën e zhvilluar në KPK, të tentohet të vihet në lajthitje opinioni publik dhe institucioni i Presidencës”, thuhet në letrën për të cilën ka raportuar Koha.
Aty Osmani ka shkruar se e kishte informuar KPK-në se do ta priste “shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore” që kandidatët që janë ankuar të marrin përgjigje.
Osmani pati thënë se s’e dekreton Isufajn
Presidentja Vjosa Osmani në fund të tetorit të vitit të kaluar kishte thënë se e kishte njoftuar KPK-në që të mos presë dekretim nga ajo.
“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, pati thënë Osmani më 26 tetor 2022.
Procesi mund të kthehet në pikën zero
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar ligjin për Këshillin Prokurorial, rrëzoi të paktën përkohësisht planin e Qeverisë për t’i ndërruar edhe prokurorët.
Ky ligj i përpiluar nga Qeveria ishte miratuar në Kuvend në qershor të vitit të kaluar dhe parashihte ndryshimin e përbërjes së KPK-së.
Ndonëse kishte thënë se e kishte njoftuar KPK-në që të mos presë dekretimit, Osmani e kishte lënë edhe më tutje të ngecur procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, pa marrë asnjë vendim.
Presidentja tani e kanë parasysh se mosdekretimi i Isufajt do ta kthente procesin në pikën zero dhe se përbërja aktuale e KPK-së mund ta bëjë zgjedhjen e njëjtë dhe t’ia çojë sërish emrin e Isufajt në tavolinë.
Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Tri organizata joqeveritare: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, i kishin kërkuar presidentes që të mos e dekretonte Isufajn, duke e konsideruar propozimin e KPK-së të papranueshëm.