Vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti duket se nuk kanë raporte të mira me Flori Mumajesi.
Ishte pikërisht Stefi, ai që zbuloi çfarë ka ndodhur 11 vite më parë mes tyre dhe shkak për këtë ishte një këngë dhuratë që Flori i kishte bërë vëllezërve.
“Ka kaluar vite dhe ne jemi në një distancë qëndrimesh. Ka qenë një ngjarje e para 11 viteve. Më përpara kemi patur një marrëdhënie të shkëlqyer me Florin. Marrëdhënie që kapërcenin edhe ato artistike, ishin shumë shoqërore. Takoheshim, grupoheshim. Pra ishin marrëdhënie të shkëlqyera. Arsyet pse u ndërpre kjo marrëdhënie…unë marrë një pjesë të fajit. Ka qenë neglizhenca jonë. Ndoshta edhe objektive. Por, kur jeton larg edhe keqkuptohesh. Flori na kishte bërë një këngë dhuratë, na pëlqeu shumë. Por duhej realizuar.
Për arsye familjare kjo këngë u shty për shumë kohë, e kaloi vitin. Kur unë dhe Endri u rikthyem në botën tonë artistike, kishim planifikuar ta fusnim këtë këngë në albumin tonë. Por ai ia kishte dhënë këngën dikujt tjetër dhe këtu pati një hatërmbetje nga të dyja palët. Por nuk ishim kaq aktiv dhe ta respektonim kohën krijuese”, tregoi Stefi për moderatoren Ester Bylyku.
Më tej, ai shtoi se pati edhe një debat tjetër në telefon pas pjesëmarrjes në një prej edicioneve të “Këngës Magjike”.
“Më pas patëm një debat edhe në “Kënga Magjike”, ku Flori u paraqit me një këngë të Artiolës dhe Brunos. Ishte çështje koncepti. Unë e shikoja se ishte një këngë shumë e bukur por jo për një festival modern. Aty më mori në telefon ku patëm një debat jo fyes”, u shpreh këngëtari.