Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej një muaj ndaj dy personave të dyshuar për tentim vrasjen e 26 gushtit 2024, të cilët u kapën së fundmi pasi ishin shpallur në kërkim.
Klankosova.tv mëson se të dyshuarit janë vëllezërit Brikend Zogaj dhe Blerand Zogaj.
Pas incidentit, ata ishin arratisur për në Zvicër, ku njëri prej tyre kishte leje qëndrim e më pas u shpallën në kërkim policor.
Pasi policia ka arritur të sigurojë prezencën e tyre, Prokurori i Shtetit ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Ata dyshohen se më 26 gusht të 2024-së në Greme të Ferizajt, kanë tentuar që ta fusin me zor në veturë viktimën B.Berisha, por i njëjti u ka ikur dhe më pas ata e kanë gjuajtur me armë, transmeton klankosova.tv.
Sipas dosjes së Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se më 26 gusht 2024, rreth orës 23:12, në fshatin Greme, komuna Ferizaj, fillimisht tentojnë që të dëmtuarin B.B., ta fusin në automjetin e tyre Audi”, ngjyrë e zezë, mirëpo për shkak të rezistencës, këtë nuk mund ta bëjnë dhe i dëmtuari arrin të largohet, të pandehurit me dashje që ta privojnë nga jeta secili me armë shtënë në drejtim të të dëmtuarit B.B., mirëpo i njëjti arrin të kërcej në oborrin e shtëpisë, mirëpo të pandehurit arrijnë që ta godasin në regjionin e abdomenit, si dhe në këmbën e djathtë,- me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasje në tentative” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim e prokurorisë.”
Të pandehurit që nga sot, më 30 prill 2025, me vendim të Prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.
Klankosova.tv ka raportuar për rastin e Berishës, rrahja e tij kishte ndodhur para shtëpisë së tij, por edhe para syve të djalit dhe bashkëshortes së tij, tha vëllai i tij.
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata./