Vendin e punës të ish-shefit të Shërbimit Informativ të Serbisë (UDB) për rajonin e Klinës, në Ministrinë e Drejtësisë, e ka zënë vëllai i një zyrtari të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Ndasitë politike e bllokimi i konstituimit të Kuvendit nuk i kanë penguar ministres në largim, Albulena Haxhiu, për ta emëruar në një pozitë të rëndësishme Alban Sutajn.
Alban Sutaj, vëllai i Hajdar Sutajt – zyrtar i lartë në AAK, është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
Me vendim të Albulena Haxhiut, Sutaj ka zënë vendin e Enver Krasniqit, ish-shefit të UDB-së për rajonin e Klinës.
Krasniqi, i cili ishte akuzuar edhe për burgosjen dhe torturimin e patriotit shqiptar, Kolë Berisha, është larguar nga pozita e tij drejtuese në AAPSK pas një periudhe 3-vjeçare.
Vendin e tij e ka zënë vëllai i një zyrtari të lartë në AAK, Alban Sutaj.
“Sot, në cilësinë e u.d të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara – AAPSK, prita në takim ministren në detyrë të Ministrisë së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, zv. Ministrin z. Blerim Sallahu dhe Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë znj. Anita Alaj Kalanderi me të cilët diskutuam mbi planet, objektivat dhe sfidat, në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara si dhe të arriturat kryesore në Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara të Konfiskuara (AAPSK)“, thuhet në postimin e Sutajt në Facebook.
Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara që ndodhet nën menaxhimin e Ministrisë së Drejtësisë të udhëhequr nga Albulena Haxhiu, është një “aset i çmueshëm” i pushtetit.
Jo rrallëherë, Kurti e vartësitë e tij e kanë përdorur Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara si “armë” për të frikësuar kundërshtarët e tyre politikë.
Ndërkaq sot, me vendim të Albulena Haxhiut në krye të saj është vendosur vëllai i një zyrtari të lartë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të drejtuar nga Ramush Haradinaj.
Në vitin 2021, Qeveria Kurti kishte miratuar një projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar.
Atë kohë, ministrja Haxhiu kishte deklaruar se projektligj tregon vizionin e Qeverisë për hapat që duhet të ndërmarrin institucionet për të vendosur sundimin e ligjit në vend, ndërsa kishte shtuar se Agjencisë do t’i mundësohet që të bëjë shitjen e sendeve, dhënien me qera, ose dorëzimin e tyre për shfrytëzim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Haxhiu e kishte vlerësuar lartë punën e Agjencisë, ndërsa ishte krenuar më së shumti me konfiskimin e pasurisë së terroristit Milan Radoiçiq pas urdhrit ndalues përfundimtar të lëshuar nga Prokuroria Speciale.