Pas shtatë vitesh në paraburgim, të enjten është liruar Naser Pajazitaj, dyshuari i Prokurorisë së Shtetit për vrasjen e kushërirës së tij Donjeta Pajazitajt në vitin 2015.
Donjeta Pajazitaj ishte vrarë mizorisht në bjeshkët e Strellcit në Komunën e Deçanit.
Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjeta Pajazitajt, ka thënë të enjten në Radio Televizionin e Kosovës se gjykata ka pasur fakte të mjaftueshme për të mos e liruar të akuzuarin.
“Jom kanë në punë veç kur e kam kuptu përmes mediave [për lirimin e të akuzuarit]. Nuk e di se si drejtësia ka ardhur deri tek ky vendim kur ka pasur fakte që i akuzuari të merrte dënimin e merituar. Janë veç dy fakte: fakti i kamerave dhe fakti i dëshmia e vajzës së të akuzuarit që është deklaruar kundër tij. Vetëm këto dy fakte t’i kish vlerësu gjykata qysh duhet, nuk besoj që kish mund të vije deri te ky vendim”, ka thënë ai.
Shkëlqim Pajazitaj ka thënë se familja e viktimës do të konsultohet me prokurorin e rastit para se të vendos për hapat e radhës, ose, ka thënë ai, “Zoti le të marrë hak”.
“Nesër do të shkojmë të flasim me prokuroren, do të shohim nëse ka ndonjë instancë tjetër, nëse jo atëherë do të shohim. Nëse ekziston Zoti me të vërtet, ai le të marr hak”, ka deklaruar ai.
Ai ka paralajmëruar ankesë kundër vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatën Kushtetuesen.