Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas shpërthimit që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në veri.
Vela përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se ky është një sulm tjetër kriminal në Mitrovicën e veriut.
“Strukturat kriminale dhe ilegale të financuara nga Serbia po pengojnë sundimin e ligjit në veri. Ky mund të jetë një reagim ndaj aksionit të institucioneve të Kosovës për heqjen e kamerave të paligjshme të vëzhgimit të vendosura nga Serbia”, ka theksuar Vela.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar shpërthimin, duke njoftuar se ka ndodhur rreth orës 03:00.
“Si pasojë është dëmtuar një veturë dhe një shtyllë elektrike. Policia është duke e trajtuar rastin si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.
Shpërthimi ka ndodhur në rrugën“Petar Kral”.