Një djalë i moshës 6 ose 7 vjeçe, me origjinë nga Shqipëria, ka ndërruar jetë teksa po notonte në plazhin e Heraklionit të Greqisë.
Sipas informacioneve të Creta24, Nikolasi i vogël, i cili ndodhej me nënën e tij në shtëpinë e tyre, e cila ndodhet dhjetëra metra larg plazhit , ka shprehur dëshirën që të dalë dhe të notojë.
Të njëjtat informacione thonë se nëna e tij ka refuzuar , por djali i vogël i ka shpëtuar vëmendjes së të ëmës, dhe ka ikur për në plazh.
Fatkeqësisht, pak minuta më vonë Nikolasi i vogël u nxor nga uji pa ndjenja.
Sipas raportimeve, deti ishte i trazuar dhe djali i vogël me siguri është përfshirë nga një dallgë e fortë.
Kujtohet se një banor i zonës ka parë fëmijën në ujë pa ndjenja dhe ka ngritur menjëherë alarmin. Thirrja në EMS është bërë në orën 13:30 dhe mësohet se një djalë i vogël ishte shtrirë me fytyrë përtokë në ujë.
Në vendngjarje kanë shkuar banorë të fshatit dhe kalimtarë të rastit, të cilët me ndihmën e një defibrilatori dhe mjekut kanë tentuar të rikthejnë fëmijën.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë ambulanca dhe fëmija është transportuar në Qendrën Shëndetësore të Viannos, por fatkeqësisht pa shenja jete.