Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka urdhëruar që flamujt të ulen në gjysmë shtize si “shenjë respekti për kujtimin” e Papa Françeskut, i cili vdiq sot, shkruan CNN.
Urdhri zbatohet për “të gjitha ndërtesat dhe terrenet publike, në të gjitha postet ushtarake dhe stacionet detare, dhe në të gjitha anijet detare të Qeverisë Federale në Distriktin e Columbias dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Territoret dhe zotërimet e saj deri në perëndimin e diellit, në ditën e varrimit”, shkroi Trump në shpalljen zyrtare.
Ai gjithashtu përfshiu “ambasadat e Shteteve të Bashkuara, zyrat konsullore dhe objektet e tjera jashtë vendit, duke përfshirë të gjitha objektet ushtarake dhe anijet e stacionet detare”.
Në oborrin jugor të Shtëpisë së Bardhë, ku po zhvillohej aktiviteti tradicional “Easter Egg Roll”, flamuri amerikan në majë të Shtëpisë së Bardhë është ulur në gjysmë shtize në mëngjes, transmeton Gazeta Papirus.
Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, ka vdekur sot në moshën 88-vjeçare.
“Të dashur vëllezër e motra, ju njoftojmë me pikëllim të thellë se Papa Françesku ka vdekur”, tha kardinali Kevin Farrell përmes një njoftimi në kanalin televiziv të Vatikanit.
“Në orën 7:34 mëngjesin e sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit”, tha ai.
Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore.
Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operimi në zorrën e trashë, ndërsa më 2023 ka pasur një operim tjetër në abdomen për të trajtuar herninë.
Ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, dhe shpesh kishte përdorur karrige lëvizëse.
Pavarësisht këtyre komplikimeve, ai pati agjendë të ngarkuar, dhe i kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër botë.
Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë.
Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte ditë të tëra në spital.