Një rast i rëndë ka ndodhur para dy ditësh në Malishevë ku një grua 35 vjeçare ka ndërruar jetë pasi që është paraqitur për ta hequr një dhëmb në një klinikë private në Malishevë. Për pasojë janë arrestuar dy persona për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se ishin arrestuar mjeku Xhavit Karaxha dhe pronarja e ordinancës, Hanife Karaxha.
Të njëjtëve sot u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
“Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit Xh. K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale, trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, ndërsa ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktim të paraburgimit për të pandehurën H. K, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak një (1) muaj për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës.
Sipas kërkesës i pandehuri Xh. K., “Me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” në Malishevë, në cilësinë e stomatologut gjatë dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësorë përdorë metoda të papërshtatshme të mjekimit ndaj tani të ndjerës L. Sh. nga fshati N., Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që pasi që e njëjta shkon në ordinancën e cekur më lartë për ta hequr një dhëmbë, këtu i pandehuri përdorë medikamentet si calcium, lemod-solu, alergosan, e ku pas heqjes së dhëmbit me të dal pacientja – e ndjera në oborr të ordinancës i keqësohet gjendja- humb vetëdija, me të shpejtë dërgohet në QKMF-Malishevë, e ku me pas e njëjta ka ndërruar jetë si shkak i metodave dhe terapisë së përdorur nga ana e të pandehurit.
Po ashtu pa autorizim ligjor kryen trajtime mjekësorestomatologjike, në atë mënyrë që i pandehuri si stomatolog ushtron veprimtarinë mjekësore në ordinancën gjinekologjike, pa autorizim ligjor për zhvillimin e veprimtarisë stomatologjike e ku si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme mjekësore të marruara nga ana e të pandehurit, pas trajtimit mjekësor të dhënë viktimës, e njëjta ndërron jetë, në vendin dhe mënyrën e cekur si më lartë”.
Ndërsa sipas kërkesës për të pandehurën H. K., “Me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” në Malishevë, pa kualifikim mjekësor kryen trajtime mjekësore e cila është e regjistruar si Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë në emër të pandehurës, ndërsa e njëjta ka të kryer shkollimin fillore, me profesion rrobaqepëse, e ku në ordinancën e cekur më lartë, pas trajtimit mjekësor të dhënë nga vëllai i të pandehurës- i pandehurit Xh. K., ka ndërruar jetë tani e ndjera L. Sh. Po ashtu nga koha e pacaktuar e gjerë me datë 22.08.2023, me dashje dhe pa autorizim falsifikon dokumentin në emër të institucionit tjetër dhe atë të QKMF-së në Malishevë, në atë mënyrë që e njëjta si pronare e biznesit “D.”, me rastin e inspektimit në këtë ordinancë i janë gjetur 18 vërtetime për nxënës dhe student si dhe 16 udhëzime për konsultim të QKMF-së në Malishevë, të gjitha këto dokumente të zbrazëta mirëpo të vulosura me vulën e QKMF-së, pa autorizim nga institucioni përkatës”.