Kryeministri Ramush Haradinaj dje ka pasur një takim me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin gjatë mesditës. Nga njoftimi zyrtar u kuptua se Thaçi, Veseli e Haradinaj kishin folur për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, por aty nuk u tha asgjë rreth zhvillimeve që po ndodhnin në Veri dhe ndalesat ndaj ministrave serbë, situatë që më vonë eskaloi me arrestimin e Gjuriqit dhe defilimin e tij nëpër rrugët e Prishtinës. Por, tashmë po spekulohet se Ramush Haradinaj as që ka qenë i informuar për veprimet që do të ndërmerrte Policia e Kosovës
Shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka gjasa të jetë zënë në befasi nga vendimi i djeshëm për intervenim në Veri. Si duket aksione të tilla janë shndërruar në specialitet të Hashim Thaçit, i cili edhe në dy-tre raste tjera Njësinë Speciale në Veri e ka nisur vetëm në bashkëpunim me drejtorin e Policisë së Kosovës.
Haradinaj nuk ka folur asgjë rreth aksionit, por bazuar në një deklaratë të deputetit të AAK-së, Muharrem Nitaj, i cili është edhe një nga njerëzit e afërt e tij, po del që kryeministri ka qenë i painformuar.
“Po mundohem ta kuptoj atë që ndodhi sot në Mitrovicë, e s’po muj i bie në fije. Mu duk sinjifikative një deklaratë e Pacollit, e thënë disa orë para arrestimit të Gjuriqit se ai nuk ka leje dhe nëse hyn në Kosovë, do të arrestohet! Ishalla është siç po kujtojnë shumica, por seç e kam një dyshim për gjithë këtë ngjarje!”, ka shkruar Nitaj.
Por, në një deklarim të mëvonshëm në emisionin “Pressing” të T7, ministri Pal Lekaj ka thënë se Haradinaj ka qenë pjesë e vendimmarrjes.
Por, fakti që shefi i Qeverisë së Kosovës nuk ka bërë ndonjë deklaratë as personale e as Qeveria si institucion, ka gjasa të ndodhë për shkak që po ndihet i anashkaluar.
Ai edhe sot po vazhdon të heshtë.