Presidenti Donald Trump tha të premten se helikopteri i ushtrisë Black Hawk po fluturonte më lart se sa duhej në momentin që u përlas me avionin e kompanisë American Airlines pranë aeroportit Reagan në Uashington, në atë që duket se është elementi më i rëndësishëm që është mësuar deri më tani lidhur me hetimin.
Forcat e Armatosura nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve Reuters.
Helikopteri Blackhawk po fluturonte në një lartësi shumë më të madhe se sa kufiri prej 61 metrash. Kjo nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar, apo jo”, shkroi Presidenti Trump në një postim në rrjetin Truth Social.
Një sërë agjencish amerikane po vazhdojnë të hetojnë shkakun e përplasjes që shkaktoi vdekjen e 67 personave.
Operacioni i kërkimit në lumin Potomak, ku ranë dy mjetet ajrore, po vazhdon.
Deri tani janë gjetur trupat e të paktën 28 personave.
Hetuesit gjetën të enjten të ashtuquajturat kutitë e zeza të avionit, i cili u nda në tre pjesë kur ra në lumë.
Bordi i Sigurisë së Transportit Kombëtar do të mbledhë informacion nga kutitë e zeza të avionit- regjistrimin e të dhënave të fluturimit dhe komunikimin zanor brenda kabinës, në përpjekje për të gjetur arsyet e përplasjes.
Hetuesit kanë nisur të shqyrtojnë çdo element të përplasjes, përfshirë pikëpyetjet se përse helikopteri Black Hawk po fluturonte mbi lartësinë e lejuar dhe nëse në kullën e trafikut ajror kishte aq personel sa duhej.
Sipas një raporti të brendshëm të Administratës Federale të Aviacionit, në momentin e përplasjes, kishte vetëm një kontrollor, nga dy që caktohen zakonisht në kullën vrojtuese të aeroportit.
Nuk ka asnjë të mbijetuar mes 60 pasagjerëve dhe 4 anëtarëve të ekuipazhit të aeroplanit dhe ekuipazhit prej tre pjesëtarësh helikopterit.
Të enjten pasdite, Presidenti Donald Trump firmosi dy urdhra ekzektutivë, përfshirë një për emërimin e në zëvendësadministratori të Administratës Federale të Aviacionit. Urdhri tjetër anuloi nismat federale për diversitetin në sektorin e aviacionit.
Presidentit Trump tha se çdo burim në nivel lokal, shtetëror dhe federal ishte vënë në dispozicion të operacionit të kërkimit./VOA/