Mediat kosovare po vazhdojnë raportimet lidhur me disenjatorin e mirënjohur, Valdrin Sahiti, për të cilin po pretendohet se ka qëndruar nën masën e paraburgimit në Turqi, para katër ditësh. Avokati i Sahitit, Besnik Berisha, ka demantuar për disa herë këto raportime, teksa tashmë është deklaruar edhe vet disenjatori, raporton Gazeta Sinjali.
Në një prononcim për Sinjalin, Sahiti tha se ka vendosur që t’u përgjigjet personalisht raportimeve të tilla, që i ka quajtur “shpifje”.
Ai e ka përsëritur se lajmet për paraburgosjen e tij janë të rreme, gjë të cilën e ka dëshmuar përmes provave që ka dërguar në adresë të redaksisë.
“Edhe pse kisha vendosur që në një çështje të tillë, komunikimi me publikun të bëhej përmes avokatit tim, Besnik Berisha, duke e parë se disa individë edhe më tutje vazhdojnë të shpërfaqin lajme të rreme e shpifin se gjoja se unë jam paraburgosur për së paku 48 orë në Turqi dhe shteti qenka angazhuar qe të më nxjerrë nga masa e paraburgimit, vendosa që edhe personalisht t’u përgjigjem këtyre shpifjeve.”, tha Sahiti.
Sahiti është shprehur se nga Prishtina për në Turqi ka fluturuar më 10 prill, kurse në Dubai ka arritur më 11 prill, prandaj nuk ka asgjë të vërtetë lidhur me paraburgosjen e tij.
“I siguroj të gjithë të interesuarit se lajmi për paraburgosjen time në Turqi, siç e ka deklaruar avokati Besnik Berisha është fake news. Unë asnjëherë s’kam qenë i paraburgosur. Për korrektësi ndaj kujtdo që po i servohen lajme të pavërteta, po i dërgoj kopjet e vulës së pasaportës time që e vërteton kohën e hyrjes në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kam fluturuar nga Prishtina në mbrëmjen e datës 10 prill, ndërkaq në Dubai kam arritur më 11 prill. Të gjitha deklarimet e avokatit lidhur me këtë çështje janë rrëfimi im dhe nuk ka asgjë të vërtetë në lajmin se unë kam qenë i paraburgosur në shtetin e Turqisë”, tha Sahiti për Sinjalin.
Disenjatori është deklaruar edhe për përmendjen e presidentes Osmani, duke shprehur keqardhje që emri i saj po tentohet të përbaltësohet.
“Ndihem keq pafundësisht që emri i presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po synohet të përbaltoset me informata të pasakta, edhe pse është fakt i njohur se zonja Osmani nuk ka asnjë lidhje me statusin e pasaportës time diplomatike”.
Prandaj, Sahiti tha se “kjo çështje tani e tutje konsiderohet e mbyllur për mua dhe apeloj te secili që të mos përhap lajme të rreme sepse e vërteta është ajo që tashmë e kam faktuar. “