Autoritetet kanë gjetur trupat e pajetë të dy turisteve në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”. Policia bën me dije se shtetasja belge B. M. dhe ajo franceze J. B. kanë qenë duke eksploruar Valbonën, por për shkak të terrenit të thepisur kanë rënë në një greminë.
Po për shkak të motit të keq, edhe helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur të pajeta turistet.
Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.
Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve.