Trupat ukrainase po simulojnë një luftë urbane në ndërtesat e braktisura të qytetit Pripyat, i shkretuar që prej katastrofës nukleare të Çernobilit në vitin 1986.
Ata qëlluan në drejtim të ndërtesave të braktisura e hodhën granata, por kjo vetëm pasi një njësi e posaçme për verifikimin e nivelit të rrezatimit bëri disa kontrolle përpara se të niste stërvitja.
Forcat speciale, policia dhe garda kombëtare luftuan me armikun imagjinar në rrugët me dëborë pranë hoteleve e godinave të boshatisura, disa nga të cilat ende mbanin simbole të vjetra sovjetike, si drapëri e çekani.
Ushtria ukrainase ka nisur intensivisht stërvitjet teksa vendi përgatitet për një ofensivë të mundshme ushtarake. 100 mijë trupat ruse në kufi janë kujtesë e vazhdueshme e rrezikut të një mësymjeje të Moskës, që mund të vijë në çdo kohë.
“Kjo ishte një betejë me forca paraushtarake në një mjedis urban”, tha një nga pjesëmarrësit.
“Ne sot simuluam zmbrapsjen e grupeve të armatosura të paligjshme nga disa godina në zonë. Qëllimi i stërvitjes ishte pikërisht përgatitja për një skenar të tillë”, tha ushtari.
Rusia, e cila pushtoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014 dhe mbështet separatistët në lindje të vendit, mohon të planifikojë të sulmojë, por po kërkon garanci sigurie, duke përfshirë një premtim se aleanca ushtarake e NATO-s nuk do ta pranojë kurrë Ukrainën.