Rusia është duke zvogëluar praninë ushtarake në Siri dhe po transferon disa asete prej këtij shteti të Lindjes së Mesme për në Afrikë.
Moska duket se ka tërhequr një sasi të madhe të pajisjeve ushtarake prej bazave në Siri, prej rrëzimit të regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad – aleat për kohë të gjatë i Rusisë – më 8 dhjetor.
Duke pasur parasysh mundësitë e humbjes së bazës ajrore që ka në Hmeimim, dhe asaj detare në Tartus, Rusia duket se po rrit prezencën në Libi, Mali dhe Sudan.
Mirëpo, ekspertët besojnë se shtetet afrikane nuk përbëjnë alternativa praktike.
Prapëseprapë, imazhet satelitore sugjerojnë se Rusia është duke transferuar disa asete ushtarake prej Sirisë për në Afrikë.
Humbja e bazave ushtarake në Siri do të përbënte pengesë të madhe strategjike për Rusinë, e cila i ka përdorur këto hapësira për të shpërfaqur ndikim dhe forcë në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës.
Moska ka thënë se është ende në negociata me Qeverinë e re në Damask për të ardhmen e bazave ushtarake në Siri. Mirëpo, ekspertët vlerësojnë se lëvizjet e pajisjeve ushtarake ruse sugjerojnë se Moska po përgatitet për tërheqje të pjesshme apo të plotë prej Sirisë.
Rusia ka disa baza në Afrikë, përfshirë ato në Libi, Mali, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sudan.