Sabit Gashi nga Studençani i Suharekës është një nga 5 personat e larguar që për 20 vite ishte në listen e zezë të SHBA-s , Ai ka shkruar në Facebook.
Drejtësia vonon, por nuk harron
Sapo e mora një njoftim nga mjetet e informimit se jam hequr nga lista e përpiluar nga ish presidenti amerikan George W. Bush në vitin 2001 gjatë luftës në Maqedoni , të ashtuquajtur si “Lista e Zezë”. Kjo është një dëshmi se kam qenë dhe jam i pa fajshëm, shkruan Gazeta Facebook.
Sabiti vazhdon postimet nga libri i tij “Vitet e Lavdisë dhe Zhgenjimet dhe është autor edhe i librit Japonezi.
Rrëfime Lufte
Aksioni i 12 prillit të vitit 1999 në hyrje të fshatit Studençan, ku mbeten të vrarë 3 eprorë të lartë serb, e ngriti lart moralin e luftëtarëve.
Pas aksionit të suksesshëm, të cilin e kishin kryer Fetah Gega dhe Enver Cikaqi, ku u shkatërrua një kamion i forcave serbe, koha i erdhi aksionit të radhës.
Më kujtohet që përderisa ne rrinim në të njëjtin fshat me forcat serbe, të cilët kishin zënë pozicione strategjike, duke i vëzhguar përditë lëvizjet e tyre, vendosëm që të dalim në vëzhgim për të gjetur një vend të përshtatshëm për ti goditur aty ku nuk e prisnin. E kisha si ide që aksionin e radhës ta bënim në hyrje të fshatit, pasi ishte si vend i përshtatshëm, sepse duhej shkuar përmes një lugine, përmes së cilës mund të ishim të mbrojtur nga snajperët serb, pasi për të pasur sukses aksioni, duhej që të futeshim në territorin ku ata e kontrollonin plotësisht.
Vendosëm që të dalim nga fshati herët (për terri), dhe të shkojmë e të vëzhgojmë vendin ku mund të organizonim një pritë ndaj forcave serbe, ku të kishim sukses në kryerjen e tij dhe të mos rrezikohej asnjëri nga luftëtarët tanë.
Në vëzhgim dolëm Fetah Gega, Shaqir Kryeziu, Vait Jashari dhe unë. Ecëm për nja 30 minuta dhe arritëm te një rrugë e arave, rreth 200 metra vijë ajrore përmbi vendin ku po planifikonim që të bënim aksionin. U ulëm aty dhe filluam që të vëzhgojmë të gjitha pikat dhe postblloqet serbe, të cilat shiheshin nga aty. Pritëm nja dy orë dhe në rrugën magjistrale Suharekë – Rahovec nuk po lëvizte asnjë mjet, i asnjë natyre. Kishte kohë që mua më dhimbëte një dhëmb dhe për ta zbutur dhimbjen, përdorja gjithfarë tabletash që gjenim nëpër shtëpi të braktisura, pa e ditur se çka po merrja. Duke pritur aty, e gëlltita një tabletë dhe nuk vonoi shumë fillova që të ndihem keq.
Më mbuluan djersët dhe më vinte për të vjellë, por nuk kishim ngrënë asgjë, pasi kishim dalë herët nga fshati. Kur më panë ashtu në atë gjendje, shokët vrapuan dhe më hodhën ujë në fytyrë nga një shishe që e kishim marrë me vete, kështu u stabilizova pakëz. Pasi e panë se u bëra më mirë, shokët filluan të më tallin, duke më thënë se e kisha nga frika që kishim dalë në vëzhgim, etj. Kështu i kaluam disa orë dhe nuk po lëvizte asnjë mjet i forcave serbe.
Aty nga dreka, e pamë që në rrugën e drejtë nga vendi Ura e Reshtanit e deri te hyrja e fshatit Studençan, e cila ishte rreth njëmijë metra, erdhi me shpejtësi të madhe një makinë me ngjyrë të kuqe, e cila e përshkoi tërë rrugën dhe u fut në hyrje të fshatit, duke e mbajtur drejtimin e Rahovecit. Mua më shkoi në mend se kjo makinë do të duhej të ishte me policë, të cilët ishin nga komuna e Rahovecit, por që punonin në stacionin e policisë në Suharekë.
Qëndruam edhe për disa orë aty në atë vend, por nuk pati lëvizje të ndonjë mjeti tjetër. Kështu në mbrëmje u tërhoqëm nga ty. Unë dhe Fetahu shkuam në drejtim të malit, kurse Vaiti me Shaqën i ranë trup dhe u futën në fshat brenda edhe pse mua nuk më erdhi mirë, pasi ishte rrezik i madh të lëvizej nëpër fshat pa u bërë terr, sepse forcat serbe ishin të stacionuara në katër pika strategjike në fshatin tonë.
Në mbrëmje u kthyem në fshat dhe e vendosëm që të nesërmen të dalim dhe të zëmë një pritë në atë vend ku e kishim vëzhguar. Nuk e mbaj mend se kush na zgjoi nga rojet, por i lamë sytë shpejt e shpejt, e morëm armatimin me vete dhe i ndamë detyrat. Atyre që do të rrinin aty, u thashë që të ishin në gjendje gatishmërie dhe nëse vinte puna për ndonjë kundërsulm që mund ta bënin forcat serbe pasi që ne ti sulmonim ata, të luftonin tërë ditën në fshat, e të mos largoheshin nga aty, pasi mund të ishin të rrezikuar nga snajperët serb, edhe pse isha shumë i sigurt se ata nuk do ta bënin ndonjë kundërsulm, pasi ata nuk e dinin se ne rrinim në fshat.
Tashmë grupit iu shtuan edhe vullnetarë të tjerë, të cilët ishin të gatshëm që të vinin me ne në aksion. Përveç ne të katërve grupit iu bashkëngjit edhe Murat Kodra, i cili duhej që të vinte poshtë së bashku me ne ku do të zinim pritë, kurse Fazli Gega dhe Gëzim Gega zunë pritë në një vend tjetër, prapa shpinës së forcave serbe, ku ishin të stacionuara në një pikë strategjike në fshat, me qëllimin që posa ne të nisnim aksionin në hyrje të fshatit, këta t’a sulmonin atë pikë në mënyrë që të mos kishin mundësi të u vinin në ndihmë nga kjo pikë atyre atje poshtë ku ne do të sulmonim. Nga armët që morëm, përveç kallashnikovit që e mbaja përherë në dorë, e mora dhe një mortajë dore me precizion 150 metra, me dy predha. Pastaj edhe Fetahu, Murati e Shaqa kishin kallashnikovë, kurse Vaiti e kishte një armë që ne e quanim mitraloz me CD.
E kaluam rrugën magjistrale dhe i vendosëm në pozicion së pari Fazliun dhe Gëzimin, kurse ne të pestë vazhduam drejt hyrjes së fshatit, duke kaluar nëpër një luginë ku rridhte një prrockë me ujë, e cila shkonte në drejtimin ku do të bënim aksionin. Iu afruam shtëpive të para me kujdes të shtuar, pasi dyshonim se edhe aty mund të kishte të stacionuar nga forcat armike. Posa hymë te shtëpitë e para, të cilat ishin të xhaxhait tim, na u turr një qen i madh, i cili na rrinte aq afër, gati sa nuk na kafshonte.
Arritëm që t’i shmangeshim qenit dhe u futëm në shtëpinë e parë dhe me dritë të shkrepses kontrolluam vendin, ku gjetëm një bocë të gasit, xhezve, kafe, sheqer, etj. Vaiti i mori ato dhe i futi në një çantë dhe vazhduam nëpër oborrin e shtëpive dhe dolëm te udha magjistrale, pikërisht te vendi ku e kishim planifikuar që të zenim pritë. Aty ishte një punëtori vullkanizeri, të cilën serbët e kishin plaçkitur dhe i kishin lënë dyert hapur, kurse disa metra më poshtë, në anën e djathtë ishte një kanal i asaj përroske, por i rregulluar me beton. Vendosëm që ata të tretë të futeshin brenda në lokal, kurse unë dhe Fetahu u futëm në kanal, që të ishim më afër asfaltit, i cili ishte nja 6-7 metra afër. Pasi u futëm në kanal, e mbusha mortajën dhe po mundohesha që të merrja shënjestër, duke e llogaritur nga do të vinin mjetet e forcave serbe dhe po mundohesha që ta përshtasë në atë mënyrë që nëse vijnë mjete të blinduara, apo do të vinin mjete të tjera më të vogla, për t’i goditur më lehtë. Nuk harrova që ta porosisë Fetahun që kur të gjuaj me mortajë, të mos më rrinte prapa, sepse flaka e saj mund ta digjte dhe ta vriste në vend. Mirëpo kanali ishte i ngushtë dhe nuk na zinte të dyve në mënyrë paralele, por u morëm vesh që ai të rrinte prapa, por kur të gjuaja unë me mortajë, ai të ulej.
Kështu filloi që të agojë dhe ne zumë pozicione, që të mos na shifnin forcat serbe të pozicionuar aty. Mirëpo gjatë kohës sa ne po pritnim aty, bënim kafe dhe pinim cigare. Në fakt e bëmë një marrëveshje që Vaiti të na bënte kafe, kurse unë e posedoja një kuti për duhan tarabosh, të cilës ia vija letrën dhe duhanin, pastaj e mbyllja kutinë dhe dilte cigarja e dredhur, të cilat ua jepja nga një me radhë.
Kaluan nja dy orë që po prisnim aty, por nuk lëvizte asgjë. Filluam që të mërzitemi, sepse mund të prisnim tërë ditën dhe të mos na vinte asnjë mjet. Megjithatë ne e kishim një objektiv dhe duhej që të prisnim për aq sa ishte nevoja.
Pothuajse në kohën e njëjtë të një dite më parë që e kishim parë atë makinën e kuqe, kur po e mbështillja një cigare, nga drejtimi i Suharekës po vinte me shpejtësi të madhe e njëjta makinë në drejtim tonin, sa u detyrova shpejt që ta hidhja kutinë e duhanit dhe të kapë mortajën, i bërtita Fetahut që të ulej dhe makina më erdhi drejt e në shënjestër. Ishin më pak se të qindtat e sekondave, më duhej që të veproja shpejt, për të mos dështuar aksioni, sepse ishim marrëve që unë të gjuaja i pari me mortajë. Ia tërhoqa këmbëzën mortajës, nga e cila doli predha dhe u hodh drejt makinës, por edhe pse i ra përmes asaj nuk e goditi, pasi shkoi përmbi të rreth një shuplakë dhe u hodh tutje në një arë.
Në të njëjtën kohë krisën rrafalet e automatikëve dhe i mitralozit dhe e goditën makinën, e cila e humbi kontrollin dhe u ndal në stom të rrugës. E pashë Fetahun që kërceu nga kanali dhe iu vu pas makinës, duke e gjuajtur me rafale të automatikut. Të njëjtën e bënin edhe ata të tre, të cilët veç e kishin goditur makinën dhe e kishin ndalur atë. Ajo çka më ra në mend atë kohë, ishte që t’i vija mortajës predhën tjetër, sepse dyshoja se forcat serbe mund të na sulmonin me mjete të blinduara nga pozicionet ku ishin të stacionuara te Ura e Reshtanit, ku ishte mundësia që të na arrinin shumë shpejt dhe të na vrisnin. Ia vura shpejt predhën mortajës dhe kërceva edhe unë nga kanali dhe iu afrova makinës që ishte tashmë e ndalur.
I dola anash te xhamat e parë dhe isha kurioz të merrja vesh se kush nga ata kishte qenë në makinë, nëse do t’i njihja ndonjërin prej tyre. Xhamat e dritareve ishin të thyera nga rafalet e automatikëve, kurse brenda kishin qenë tre veta të gjakosur nga armët automatike dhe mitralozi. E pashë se të tre mbanin grada të larta të oficerëve të policisë, kurse dy që ishin ulur në karrige të para, mu dukën se ishin pikërisht ata që ishin nga komuna e Rahovecit, ndërsa të tretin nuk e njoha. Vaitit iu kishte bllokuar mitralozi dhe po mundohej që aty në vend ta zhbllokonte për t’i rënë edhe më shumë. Atë çast e kam kthyer kokën nga Ura e Reshtanit dhe e kam parë se sa shumë ishim ekspozuar dhe kishim dalë komplet në shënjestrën armike. Gjëja e parë që më ra ndërmend ishte se duhej shpejt të largoheshim, që të mos dëmtohej ndonjë nga shokët tanë, përndryshe aksioni nuk do të quhej i suksesshëm. Bërtita me sa zë që pata:
-Tërheqje! Tërheqje! Dhe filluam tërheqjen! Por Vaiti po merrej ende me mitralozin e tij dhe arriti ta zhbllokojë dhe të gjuajë në drejtim të makinës. Iu afrova shpejt dhe i bërtita që të tërhiqej, sepse ishim në vend shumë të rrezikshëm. Kështu edhe ai u tërhoq dhe u nisëm përpjetë në drejtim të malit prej nga kishim ardhur. Atë çast Shaqa gjuajti edhe njëherë përpjetë dhe tha:
-Kështu merret haku i babës dhe i të gjithë atyre që na i kanë vrarë serbët!
Shaqës ia kishin vrarë babanë serbët dy javë më parë në masakrën e fshatit Leshan, në vendlindjen e tij dhe ne ia morëm hakun.
U ngjitëm përpjetë prrockës dhe i takuam edhe ata të dytë që i kishim lënë atje lart dhe u nisëm në drejtim të malit. Kjo ishte një strategji e jona që të mund t’i hutonim serbët të mos e merrnin vesh se ne kishim dalë nga fshati dhe i kishim sulmuar, por të mendonin se sulmi iu ka ardhë nga mali, në mënyrë që ne të ktheheshim prapë në fshat dhe kështu bëmë. Shkuam deri në komandën e Zonës, ku të parin e takuam Bajram Bekteshin epror në komandë, i cili na përgëzoi për aksionin dhe na tregoi një gjë interesante.
-I kemi dëgjuar në radio lidhje ata serbët kur janë nisur nga Suhareka për në Rahovec, i kanë pyetur të gjithë ata që kishin qenë të pozicionuar nëpër pika të ndryshme përskaj magjistrales, nëse ia kanë siguruar rrugën, a është e sigurtë?!
-Ia paskan siguru rrugën mirë! Taman! – na tha Bajrami, të gjithë ne qeshëm fort. Pastaj e njoftuam edhe komandantin e Zonës Tahir Sinanin dhe të tjerët, për të cilin ata u gëzuan shumë. Në mbrëmje u kthyem mbrapa dhe u futëm prapë në fshat. Aty i takuam edhe të tjerët që kishin qenë në fshat dhe mësuam se forcat serbe më vonë kishin ardhë me mjete të blinduara për ti tërhequr të vrarit dhe i kishin djegur ato shtëpi për rreth.
Më vonë e bëra një analizë të aksionit dhe u binda se kishim bërë gabime strategjike, të cilave i kishim shpëtuar për shkak se kishim pasur fat, sepse ishim ekspozuar jashtë mase dhe me vete e kishim vetëm një mortajë dore me dy predha. Sikur të na kishte ardhë ndonjë kolonë me mjete të blinduara, nuk do të kishim pasë me çka ti sulmojmë dhe as mundësi për t’u tërhequr nga ato pozicione. Ky aksion e ngriti lart moralin e luftëtarëve dhe filluan që të shtohen aksionet e tona kundër forcave armike, si dhe interesim i madh i luftëtarëve që të na bashkëngjiten në aksione të tjera.
/Gazeta Papirus/