Muhamed Kukën të gjithë e njihni. Është ish-ushtar i UÇK-së, që edhe mbi dy dekada pas përfundimit të luftës, ende e mban veshur uniformën e UÇK-së.
Që nga përfundimi i luftës, tash e 23 vjet, ai nuk mungon në asnjë tubim e në asnjë përvjetor kushtuar dëshmorëve, martirëve e të gjithë të rënëve në luftën e Kosovës..
74 vjeçari, i cili më herët kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa hezitim i ishte përgjigjur thirrjes së atdheut, duke iu bashkuar Batalionit “Atlantiku” për mbrojtjen e vendit. E, që nga ajo kohë, ai nuk i është ndarë kurrë këtij rrugëtimi, as emocionalisht e as fizikisht.
Përpos uniformës që nuk e ka tradhtuar mbi dy dekada, ai në duar e mban edhe Flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për Demokracia.com, Muhamed Kuka thotë se edhe sot e kësaj dite jeton me lavdinë e të qenit ushtar.
Ai nuk mungoi as këtë vit në 24 vjetorin e Epopesë së UÇK-së për të nderuar familjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz.
Rrugëtimi i tij për t’i nderuar dëshmorët është gjithmonë i vështirë, pasi që ai vazhdimisht del në rrugë dhe udhëton vetëm me ata që e marrin me veturë. Megjithatë, Muhamed Kuka, që njihet për vullnetin e tij të hekurt, përherë arrin në mesin e ndër të parëve.