Detaje të rënda janë vënë në pah gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Urim Hysenit, i dyshuar kryesor për vrasjen e nënës së tij mbrëmjen e së premtes në Pejë.
Dosja hetimore të cilën e ka siguruar edhe KALLXO.com tregon se Urim Hyseni në seancën para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë nuk kishte qenë në gjendje as të jap të dhënat e tij personale ashtu sic parashihet edhe në procedura.
Në këtë seancë i pranishëm ka qenë edhe një ekspert psikiatrik Nysret Pepaj.
Gjithmonë sipas dosjes, Urim Hyseni dyshohet se pasi kishte kryer aktin makabër kishte vrarë nëënën e tij me thikë, i njëjti më pas ka sulmuar babain dhe hallën e tij.
Këta të dy në dosje përmenden si dëshmitarë okularë.
Kjo rrethanë rënduese si dhe të tjera u përdorën si pika kyçe për t’i caktuar të njëjtit paraburgimin prej 1 muaji.
Gjithashtu i dyshuari sipas dosjes, ishte duke jetuar në Gjermani para se të vinte në Kosovë, atje edhe punonte ndërsa kishte nxjerrë biletë kthimi për datën 19 prill.
Edhe kjo situatë u përdor për të vërtetuar se masa e paraburgimit duhet të jepet për shkak se ekzistonte rreziku i arratisjes së të dyshuarit.
Çka ndodhi mbrëmjen e së premtes në Pejë
Në orët e mbrëmjes, policia në Pejë u njoftua për një akt makabër e që dyshohej se djali kishte vrarë nënën e tij.
Një ngjarje e tillë sipas Prokurorisë Themelore në Pejë nuk kishte ndodhur asnjëherë. Djali dyshohet se me thikë kishte vrarë nënën e tij, trupin e kokën ia kishte ndarë në dy vende të ndryshme të shtëpisë.
Dosja hetimore tregon se kishte qenë gruaja e axhës së Urim Hysenit që kishte shkuar në vendin e ngjarjes e para ndërsa më pas edhe babai e halla.
Këta dy të fundit madje Urim Hyseni dyshohet se i kishte sulmuar me thikë.
Urim Hyseni ishte arrestuar nga organet e rendit ndërsa për shkak të gjendjes së tij psikologjike ai nuk ishte intervistuar atë natë për ngjarjen.
Eksperti psikiatrik Nysret Pepaj i cili kishte biseduar me të dyshuarin ka thënë para gjyqtarit të procedurës paraprake se i dyshuari kishte deklaruar se “ndodhin këto raste, kanë ndodhur edhe më përpara dhe nuk kemi çka të bëjmë tash”.
Me këto veprime të të dyshuarit, eksperti Pepaj kishte konstatuar se ai ka ç’rregullim psikotik.
Avokati i të dyshuarit i cili është caktuar në bazë të detyrës zyrtare Asdren Mekaj, kishte thënë në seancë se deri në vlerësimin psikiatrik të klientit të tij ka theksuar se pajtohet që klienti i tij të mbahet në kushte të izolimit pranë Institutit të Forenzikës Psikiatrike jo vetëm për ekzaminim por edhe për shkak të sigurisë së tij dhe sigurisë së personave të tjerë që mund të jenë në afërsi të tij.
Ka qenë Prokurorja Sahide Gashi e cila ka përmendur faktin se ka paralajmëruar që ndër veprimet e para hetimore do të jetë kërkesa për ekzaminim psikiatrik të të pandehurit.