Universiteti i Prishtinës ka arritur marrëveshje për shkëmbimin e studentëve me Universitetin Nacional të Tajvanit.
Këtë ka bërë të ditur vetë UP-ja, me anë të një postimi.
Rektori Arben Hajrullahu në një takim me Anna Y. C. Ho, zëvendësdrejtoreshën e Zyrës Përfaqësuese të Taipeit në Hungari, tha se bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve të Tajvanit do të jetë i shkëlqyeshëm.
Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti Nacional i Tajvanit në janar të 2025-ës nënshkruan marrëveshjen për shkëmbim studentësh. Zonja Anna Y. C. Ho, e konsideroi këtë universitet ndër më të mirët në vendin e saj.
„Gjithçka nis me hapin e parë”, tha rektori Hajrullahu, duke kërkuar që të shkohet edhe një hap më tutje e të kërkohen rrugë bashkëpunimi edhe për lidhjen e universiteteve me tregun e punës dhe bizneset.
Në takim u fol edhe për mundësitë e studimeve në këtë vend aziatik dhe për bursat që universitetet nga Tajvani u ofrojnë studentëve të Kosovës dhe shteteve tjera të rajonit.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që kontaktet mes personelit akademik e studentëve kosovarë e tajvanezë mund të shtohen e fuqizohen edhe nëpërmjet pjesëmarrjes në ligjëratat dhe aktivitetet e Universitetit Veror të Prishtinës që në vitin 2025 do ta ketë edicionin e tij jubilar të 25-të.