Në një ceremoni të mbajtur në Teatrin e Qytetit “Istref Begolli, është shënuar 11-vjetori i themelimit të Universitetit Publik “Haxhi Zeka” në Pejë, ku morën pjesë personalitete të nivelit qendror dhe atij lokal, raporton Ekonomia Online.
Në mesin e shumë qytetarëve, studentëve, ish-punëtorëve të universitetit dhe personaliteteve nga fusha e arsimit e politikës, iu nda titulli “Doctor Honoris Causa” ish-ambasadorit në Francë Muhamedin Kullashi.
Në fjalën e tij, ambasador Kullashi foli për rrugëtimin e tij akademik.
“Pas largimit nga Universiteti i Prishtinës, unë kam shkuar në Francë dhe aty e kam vazhduar njohurinë time akademike”, tha ai, teksa përmendi edhe takimet që ka pasur me akademikë francez.
“Një filozof francez ka ardh në Kosovë në vitet 80-ta si anëtar të të drejtave të njeriut dhe ka pas informata se në Prishtinë dënohen studentët për një parullë ‘Kosova Republikë’ deri në 20 vjet burg”, tha ai.
Rektori i ri i këtij universiteti, Armand Krasniqi, tha se ky 11-vjetësh nuk ka qenë i lehtë në ndërtimin institucional dhe atë e kanë përcjellë sfida.
“Senati i Universitetit tonë ka vendosur që shkëlqesisë së tij, ambasadorit Muhamedin Kullashi, t’i ndajë titullin ‘Doctor Honoris Causa’. Sot nga njëra anë mbeten 11 vite të një procesi mjaftë kompleks e mjaft sfidues të cilat e shënuan themelimin, dhe në anën tjetër bazuar në rrethanat shoqërore dhe ekonomike, para nesh rriten shpresat dhe bindjet që ky Universitet do të modirnizohet dhe të rrisë rolin në shërbim të shoqërisë“, tha ai duke përmendur vendimin e Senatit për ndarjen e titullit “Doctor Honoris Causa” ambasadorit Muhamedin Kullashi.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e quajti nderë për Pejën ndarjen e titullit “Doctor Honoris Causa” ambasadorit Muhamedin Kullashi.
“Mua më takon vetëm me përgëzua stafin akademik të Universitetit ‘Haxhi Zeka’ për t’i ndarë titullin ‘Doctor Honoris Causa’ ambasadorit Muhamedin Kullashi. Me këtë i keni bërë nderë Pejës, Kosovës dhe universitetit”, tha Muhaxheri.
E ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se tha se e kujton këtë institucion që kishte shërbyer si Shollë e Lartë Komerciale për më shumë se një dekadë, raporton EO.
“Është kënaqësi e veçantë të bashkohem në ngjarje të tilla për shënimin e momenteve të tilla, ku festohet puna dhe arritjet që me këtë rast motivohemi për të punuar edhe më shumë”.
“Unë e mbaj mend këtë Universitet nga Shkolla e Lartë Komerciale për më shumë se një dekadë tashmë, e cila në atë kohë kishte nxjerrë kuadro profesionale që merreshin me kontabilitet, tregti, të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që me kuadro u dëshmuan si të suksesshme”.
“Më shumë se mjë dekadë, ky institucion u kthye në një universitet për t’i plotësuar nevojat dhe kërkesat e komunitetit, dhe për të ofruar kuadro të kualifikuara mirë e për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut”, tha Nagavci.