Propozimi i fundit i BE-së është ky, shpjegoi Miroslav Lajçaku dje:
“Kosova të nis procesin e themelimit të Asociacionit, Serbia të nis njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës”.
Kjo-për-këtë, tha ndërmjetësi evropian në një intervistë për “Kosovo-Online” është çka do t’u ofrohet palëve, ndërsa se a do të pranojnë atë ose jo pasojën më të afërt ndëshkuese do ta kenë në korrik: mosmarrjen e parave nga Fondi i Rritjes gjashtë miliardë eurosh i BE-së për rajonin.
“Për Serbinë dhe Kosovën ky disbursim parash është i kushtëzuar nga konstruktiviteti për angazhim në dialog”, tha Lajçak.
“Jam unë ai që e jap vlerësimin për atë konstruktivitet”, u tha ai gazetarëve para ndërtesës së qeverisë kosovare me të dalë nga takimi me kryenegociatorin, Besnik Bislimi.
“Prandaj edhe folëm se si të mbërrijmë aty te vlerësimi pozitiv i imi. Pra, që Serbia dhe Kosova të mbërrrijnë te ato fond”.
Këto mesazhe erdhën një ditë para se të njoftohet se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joep Borrell, “ka rekomanduar” te vendet anëtare që masat ndëshkuese – fjalë kjo e përzbutur për sanksione – ndaj Kosovës “të largohen”.
Se kur do të vendoset heqja e sanksioneve, mbetet të shihet – por se, afërsisht sa thuhet, Kosova qe një vit ka pësuar dëme rreth 300 milionë euro projekte të financuara nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Sipas Bislimit, “ia ka vlejtur…edhe nëse janë pesë fish aq…sepse është ruajtur Sovraniteti”.
Në lidhje me Fondin e Rritjes, Bislimi u përpëlit të provonte të thoshte “nuk vendos Lajçaku” por tha praktikisht të njëjtën gjë se “ai bën vlerësimin” rreth konstruktivitetit, konstruktivitet i cili “është parakusht për disbursimin e mjeteve në korrik”. Bislimi…
“Tash situata është pak më e komplikuar, për arsye se si parakusht për disbursimin e pjesës së parë nga Fondi i Rritjes apo Growth Plan që prite të bëhet në korrik bëhet pas një vlerësimi të Lajçakut që bëhet rreth konstruktivitetit të palëve”, tha Bislimi sot para gazetarëve.
“E ky konstruktivitet do të varet nga ajo se në ç’masë palët e pranojnë edhe planin e sekuencimit si bazë. Serbia do ta ketë sfidë të thotë që unë e kam një plan të sekuencimit të një marrëveshje të cilën nuk e njoh se ekziston. Serbia do të detyrohet të pranojë që ka një marrëveshje me Kosovën dhe duhet ta zbatojë të njëjtën”, vazhdoi ai.
“Lajçaku nuk vendos për fondet. Lajçaku raporton për konstruktivitetin e palëve; raport ky që pastaj përdoret nga komisioni për të vlerësuar në qoftë se do të disbursojnë mjetet apo jo”, përfundoi Bisnik Bislimi.
Muaj më parë në një intervistë për Nacionalen, Miroslav Lajçak pa-një-pa-dy e kishte quajtur “kusht” zbatimin e marrëveshjes së Bruksel/Ohrit që Kosova të ishte përfituese e këtij instrumenti financiar.
“Po. Një nga parakushtet që Kosova dhe Serbia të përfitojnë nga mbështetja në kuadër të Instrumentit të Planit të Rritjes është që ato të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, t’i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe i gjithë Dialogu i shkuar, si dhe të lansojnë negociata për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, na pati thënë Lajçak.