Gjersa SHBA-të dhe aleatët e saj vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armë të sofistikuara, Washingtoni dhe Kievi zyrtar kanë mbajtur diskutime rreth rrezikut të përshkallëzimit të situatës, nëse një nga raketat godet ndonjë qytet thellë brenda territorit të Rusisë, thanë për Reuters disa nga zyrtarët dhe diplomatët që gjenden në SHBA.
Në diskutimet që po mbahen, të cilat janë shumë të ndjeshme dhe për të cilat nuk është raportuar më herët, nuk bëhet me dije se janë vendosur kufizime të qarta gjeografike në përdorimin e armatimeve, me të cilat u furnizuan forcat ukrainase, transmeton Telegrafi.
“Jemi të shqetësuar se mund të ketë përshkallëzim, por që ende nuk dëshirojmë të vendosim kufizime gjeografike dhe nuk duam që t’u lidhim duart mbi armatimet që po u japim”, tha në kushte anonimiteti njëri nga tre zyrtarët amerikanë.
Administrata e presidentit Joe Biden dhe aleatët e SHBA-ve, kanë ngritur gatishmërinë e tyre për të furnizuar ukrainasit me armë me rreze më të gjatë veprimi, duke përfshirë këtu edhe me Howitzer M777, ndërsa ukrainasit vazhdojnë të luftojnë agresionin rus, duke pasur edhe më shumë sukses se sa është pritur nga inteligjenca dhe zyrtarët amerikanë.
Nga Pentagoni javën e kaluar deklaruan se Danimarka do të furnizojë Ukrainën me Harpoon, sistemin e raketave kundër anijeve, sistem ky i cili e zgjeron rrezen në të cilën Kievi zyrtar mund të godasë objektivat ushtarakë.
Pas parashikimeve se Ukraina do pushtohet nga ushtria shumë më e madhe ruse, zyrtarë amerikanë kanë filluar të shpresojnë se forcat ukrainase do ta fitojnë luftën, dhe në mënyrë që kjo të bëhet sa më shpejtë, ata po i armatosin.
Zyrtarët nga SHBA-të thonë se administrata e Biden po konsideron furnizimin e Kievit zyrtar me sistemin e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (SRALL) M142, sistem ky i cili varësisht municionit ka një rreze veprimi prej qindra kilometrash.