Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet që nga data 5 korrik në Greqi. Ai fillimisht ishte pjesëmarrës në një Tavolinë të Rrumbullakët që zgjati deri më 7 korrik, por nuk është kthyer në atdhe sot e asaj dite derisa për fatin e tij është mësuar diçka e rëndësishme sot.
Nacionale ka kontaktuar me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, z. Përparim Kryeziu, për të marrë më shumë informacione në lidhje me qëndrimin e kryeministrit në shtetin mosnjohës të Kosovës por deri tash nuk ka marrë përgjigje.
Në një komunikatë të lëshuar më datën 5 korrik nga Zyra e Kryeministrit, njoftohej se Kurti kishte udhëtuar drejt Athinës për të marrë pjesë në Tryezën e lartpërmendur.
Sa i përket kësaj Tryeze, kishte raportuar gazeta Nacionale më parë. Sidoqoftë, ajo do të merrte fund më 7 korrik, ose të enjten e javës së kaluar.
Kryeministri ynë do të akomodohej në resortin luksoz “Grand Resort Lagonisi” të Athinës, të cilën revista The Economist e përshkruante si vijon: “Arratisuni në parajsën e relaksimit dhe madhështisë në kaltërsinë e detit.”
Nga luksi i Athinës, Kurti do të mbante në mënyrë elektronike mbledhjen e 87 të Qeverisë Kurti II në të cilin – ndër tjerash – do të merrej edhe vendimi qeveritar për një gotë ujë të pijshëm nëpër kafeteri dhe restorante të Kosovës.
Por, kryeministri Kurti del të mos jetë kthyer në Kosovë as pas datës 7 korrik. Ai si duket ka pritur që të fillojë Simpoziumi i Symit që të merrte pjesë edhe në këtë ngjarje.
Pikërisht në një event të tillë, Kurti kisthe marrë pjesë edhe verën e vitit të kaluar derisa ishte kritikuar për mos-kthimin e tij pas helmimeve të shumta nga uji i pijshëm që kishin ndodhur në komunën e Deçanit. Eksponentë të Vetëvendosjes kishin dhënë shpresë vitin e kaluar për njohjen e mundshme nga Greqia, por një gjë e tillë megjithatë nuk ka ndodhur deri më tash.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me vend-ndodhjen e kryeministrit Kurti gjatë periudhës prej 7 deri më 10 korrik, por mund të aludohet se ai ka qenë duke shijuar pushimet e tij verore.
Postimi i fundit nga Greqia prej kryeministrit Kurti në Twitter ishte pikërisht nga forumi i Athinës më 7 korrik.
Sidoqoftë, një postim nga tjetërkush do t’i zbulonte ‘lokacionin’ kryeministrit. Ishte Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun i cili tregoi se Kurti ndodhej ende në Greqi.
Ai po merrte pjesë pikërisht në Simpoziumin e Symit.
Ky simpozium do të zgjas deri më 14 korrik, dhe Kosova mund të mos e shohë kryeministrin e saj deri më atë datë, ose deri në fillimin e javës tjetër.
Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar në lidhje me mungesën e kryeministrit të Kosovës.
“As kryeministri i Greqisë nuk rrin aty një javë, e lëre më të tjerët?” – komentoi ajo.