Ambasadorët e vendeve anëtare të BE’së ranë dakord për t’i dhënë mandatin Këshillit Europian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në bazë të këtij mandati, presidenca do të nisë negociatat me Parlamentin Europian.
Këtë e ka bërë të ditur ministri çek i Punëve të Jashtme, Jan Lipavský.
“Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, migracionin, menaxhimin dhe sigurinë dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm do të forcohet në të ardhmen”, tha ai.
Sipas qëndrimit të Këshillit, udhëtimi do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe nëse vonohet funksionimi i këtij sistemi, liberalizimi do të ndodhë jo më vonë se 1 janari 2024, thotë Komisioni Europian në një deklarata për media.
Kosovarët do të mund të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.