Një rrëfim ekskluziv për kohën e luftës e ka dhënë edhe ish shefi i kriptoanalizës në Shërbimin Informativ Kombëtar dhe pjestari i UÇK-së Vexhi Halili. Ai ka treguar se si Shefi i CIA-s për luftën e Kosovës i kishte kërkuar Shefat (referuar Thaçit dhe Veselit), përderisa ata ishin në zonat e luftës, transmeton EPILOGU.
Bombardimet nga NATO – CIA, porositë e Washington-it dhe shefi
“Ishte muaji i fundit i luftës në Kosovë, porse ushtria e Serbisë e as Millosheviçi nuk jepnin shenjat e dorëzimit. Në një bisedë me shefin e CIA-s, J.J që mbulonte problemet e luftës në Kosovë, mendonim edhe për alternativën e mossuksesit apo dështimit të NATO-s, por paraprakisht duhej këmbëngulur në rritjen e intensitetit të bombardimeve.” – rrëfen ish pjesëtari i UÇK-së dhe ish oficeri i Shërbimit Informativ Kombëtar, Vexhi Halili. “Millosheviçi ishte bërë më dinak se ç’pritej me maskimet që bënte.
Një pjesë të depove e reparteve ushtarake i kishte transferuar brenda popullësisë civile, gjersa ushtria serbe në Kosovë lëvizjet i bënte tok me karvanet e civilëve. Shikuar dhe gjykuar nga këto këndvështrime, më ftoi në një bisedë konfid enciale shefi i CIA-s për çështjen e luftës në Kosovë, J.J.
Ai ishte në Krumë dhe në zyrën e Plakut (Xheladin Gashit), ndër të tjera më tha: ‘Lufta sipas gjitha gjasave do të zgjasë më shumë se ç’është parashikuar dhe në këto rrethana, duhet të takohemi me shefin.’ Më hodhi një vështrim për të parë reagimin tim nëse e kam kuptuar qartë apo jo. Unë e dija që shefi (Hashim Thaçi) bashkë me Lulin (Kadri Veselin) ishin në frontin e luftës.
Më pas, J.J më tha: ‘Në rregull, lidhu me ta dhe tregoju se duam takim patjetër pasiqë kemi porosi nga Washington-i.’ Të them të drejtën, u ndjeva krenar në ato çaste që isha shqiptar, pasiqë njëri ndër shefat më të rëndësishëm të vendit më të fuqishëm në botë, i thërriste shefa shokët e bashkëluftëtarët tanë.
Menjëherë kapa receptorin e telefonit satelitor dhe formulova numrin e shefit, fatmirësisht nuk zgjati shumë dhe e kapi telefonin Thaçi. Krisma e pushkëve dëgjohej edhe në telefon dhe këtë e kuptoi edhe miku ynë i CIA-s. Nuk e zgjata shumë dhe i thashë shefit: ‘Unë e di situatën, por këta miqtë tanë duan të takohen me ju patjetër.’ Shefi ma ktheu: ‘Oo thuaju atyre miqëve tanë, pashë Zotin nuk kam nevojë për takim dhe nuk mundem të vi edhe me dasht me ardhë, por thuaju të na sjellin armatim e municon, do të ishte gjëja më e mirë tani se bisedat. Ata e dinë çfarë lloj armatimi na duhet.’ Bisedën e dëgjonte miku ynë nga CIA, por edhe krismat.
Në një moment humbën pak valët, por shpejtë u dëgjua prapë zëri i shefit. ‘Këtu po presin me rradhë se cili ushtar po plagoset ose vritet e tjetri me kap pushkën. Veç armë e municon duam.’ – ishin fjalët e shefit, i cili më pas mbylli telefonin. Sa më kujtohet, ai na fliste nga Kleçka apo Likoshani. J.J nga CIA e kuptoi situatën, uli kokën dhe pas ca shpjegimeve shtesë të mijat për porositë e shefit nga fronti i luftës, nuk zgjati shumë dhe më tha: ‘Në rregull. Nëse nuk vjen shefi, ne shkojmë tek ai. Do të më gjeni një oficer ushtarak, i cili jo vetëm që është besnik, por edhe zotëron mirë artet marciale dhe ato luftarake, e i cili do të stërvitë 20 djem nga më të fortët e më të guximshmit, që do ta shoqëronin ekipin tim të CIA-s për tek shefat (Hashim Thaçi e Kadri Veseli) në frontin e luftës.’
Fatmirësisht, kisha një nga këta eprorë me tipare siç e kërkonte J.J. Atë edhe Plaku e donte shumë për shkak të korrektësisë dhe idealizmit që e karakterizonte. Ai përzgjodhi ushtarët të cilët plotësonin kriteret e cekura dhe filluan me stërvitje. Ky ekip do të përgatitej sipas CIA-s për 25 ditë e pastaj do të hynte me misionin e caktuar në Kosovë. Nuk kaluan më shumë se 10 ditë dhe ky mision u anulua, pasiqë në mëngjes herët, përmes radiolidhjeve më njoftuan miqtë tanë se Millosheviçi u dorëzua. Në mbrëmje do të firmosej në Kumanovë një marrëveshje.” – vazhdon rrëfimin e tij, ish ushtaraku i UÇK-së, Vexhi Halili./ Drenica.Live/