Fatbardha Likrama, nënë e tre fëmijëve tentoi t’i shpëtojë dhunës së bashkëshortit, duke u larguar në shtëpinë e motrës, që jeton përballë pallatit të saj në lagjen “Vullnetari” në Elbasan.
Por gruaja e dhunuar, që 3 ditë më parë kishte zgjedhur të mos heshte dhe guxoi të denoncojë dhunën në polici, u mor forcërisht nga shtëpia e motrës për t’u kthyer në gjirin familjar, që ndryshe nga paqja dhe dashuria i ofronte dhunë.
Shkak për këtë ngjarje të rëndë është bërë dhuna sistematike që Fatbardha Likrama nënë e tre fëmijëve përjetonte në familje, nga bashkëshorti, vjehrra dhe vjehrri i saj.
Motra e viktimës, Flutura në një intervistë për mediat ka bërë me dije se një ditë para ngjarjes motra e saj për shkak të dhunës kishte shkuar tek ajo për ty strehuar.
Ajo shprehet se motra e saj ka shkuar tek ajo me dhëmbë të thyer e me flokë të shkulura, ku ndër të tjera thekson dhe dhunën psikologjike që kishte filluar të ushtrohej ndaj saj. 52 vjeçarja 2 ditë më parë kishte kërkuar urdhër mbrojtje nga policia, dhe kishte shkuar për strehim tek motra por kishte qenë djali i saj që e kishte marrë me forcë dhe e kishte kthyer në shtëpi.
Nën këtë presion, e ndjerë e vetme dhe pa mbështetje, 52-vjeçarja i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i tretë i pallatit pasditen e 4 majit.
Ndërkohë mësohet se në momentin e ngjarjes ajo ka qenë vetëm në banesë është ngjitur në katin e tretë dhe është vetë hedhur. Ndër të tjera ajo deklaron se Fatbardha i kishte shprehur disa herë se do të vetëvritej nëse situata do të vijonte. Policia e Elbasanit pas ngjarjes theksonte se ajo vuante nga depresioni, por motra e saj e ka hedhur poshtë një gjë të tillë./voxnews.al/