Në mars të këtij viti Hekuran Nikçi, ish-Kryeinspektori i caktuar me nënshkrim të Albin Kutit, ishte arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, por jo vetëm këtë krim. Bashkë me të u arrestua edhe Naim Shalaku, i cili është zyrtar i të hyrave dhe zotimeve në Inspektoratin e Punës.
Ata ishin suspenduar e në vend të Nikçit u caktua në detyrë Rizah Plakolli. Insajderi dje ka raportuar se Këshilli i Pavarur për Shërbyesit Civil ka konstatuar se edhe ky zyrtar u emërua jashtëligjshëm nga Hekuran Murati, Ministër në detyrë i financave.
Por, derisa Nikçi e Shalaku po vazhdojnë të hetohën nga Prokuroria, e zyrtarisht nuk kanë dalë në vendin e punës, kjo nuk e ka penguar Qeverinë e Kosovës që t’iu qes rrogë.
Insajderi merr vesh që, që të dy, edhe Nikçi e edhe Shalaku kanë marrë edhe rrogat e muajit mars.
Madje, Hekuran Nikçi, pasi që ishte caktuar edhe në disa angazhime të tjera sekondare nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti, ka marrë në muajin mars edhe një rrogë sekondare, pos asaj primare.
Gazeta Insajderi e ka pyetur Rizah Plakollin se me çfarë baze e ka bërë këtë veprim, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. Në këto pyetje i informuar është mbajtur nga Insajderi edhe Ministri në detyrë, Hekuran Murati, por as ai nuk ka dhënë përgjigje e as komentuar.
Nikçi e mori pozitën si i pari i inspektoratit të punës, pra organit që duhej të ishte në shërbim të drejtësisë, por sipas dosjes së prokurorisë, as ai vetë nuk e kryente këtë detyrë siç duhet.
Edhe Naim Shalaku, i cili është zyrtar i të hyrave dhe zotimeve në Inspektoratin e Punës, ishin arrestuar.
Në dosjen e siguruar nga Insajderi, thuhej se ai kishte keqpërdorur autoritetin e tij, duke i ndryshuar F.K. pozitën e punës, madje duke mos i dhënë mundësinë as të paraqiste ankesë për vendimin e marrë kundërligjshëm nga Nikçi. Për këtë veprim, sipas Prokurorisë, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Po ashtu, kur zëvendëskryeinspektori kishte vendosur që F.K. të kthehej në vendin e tij të punës, vend që e kishte ushtruar para vendimit të Nikçit, ky i fundit e kishte anuluar vendimin e zëvendësit të tij, Agim Millakut. Si pasojë, prokuroria thotë se ai ka kryer veprën penale “cënim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar thuhet se është bërë nga ai, i cili kishte kërkuar inicimin e procedurës disiplinore për F.K.
Nikçi, po ashtu, akuzohet për përdorim të paautorizuar të pasurisë së paluajtshme që i ishte besuar për shkak të pozitës që ushtronte, për përdorim të vulave, dokumentacioneve dhe mjeteve të tjera të punës.
Kujtojmë se Hekuran Nikçi, para arrestimit, kishte refuzuar të lirojë zyrën e tij, edhe pse vendimin e kundërligjshëm të Kurtit për emërimin e Nikçit, e kishin vërtetuar Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.