Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që t’i caktohet masë paraburgimi mjekut me inicialet, S.D., për shkak të veprës penale “Marrja e ryshfetit”.
Lajmi e bëri të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Lidhur me këtë çështje penale, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës kompetente, ndaj S.D., për shkak të veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’, sipas KPRK-së”, ka thënë Ulaj.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë disa detaje pas arrestimit të mjekut me inicialet S.D, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 11:05, në Prishtinë.
Tutje në raport bëhet e ditur se nga i dyshuari në cilësi të provave janë sekuestruar një shumë e të hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore.
Pas arrestimit të mjekut kanë reaguar edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre pas marrjes së lajmit. Tutje në reagim është bërë e ditur se drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore.