Rivalët e presidentit Erdogan përpiqen ta sfidojnë atë në zgjedhjet e parakohshme të shpallura prej tij, ndërsa shumë ligjvënës opozitarë turq ndërruan parti të dielën, duke treguar kështu solidaritetin e tyre.
Zyrtarë nga partia republikane e popullit, CHP, thanë se 15 deputetë të saj do t’i bashkohen partisë së qendrës Iyi. Ata shprehen se ky vendim është brenda kornizave demokratike.
Zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen më 24 qershor, do e gjejnë opozitën duke u përballur me vështirësi në paraqitjen e kandidatëve dhe platformave elektorale.
Partia Iyi, e krijuar vjeshtën që shkoi, nuk mundi të hynte në zgjedhje pasi nuk kishte vende të mjaftueshme në parlament.
Pas transferimeve nga CHP, partia Iyi ka tani 20 deputetë në parlament, duke plotësuar kriterin e zgjedhshmërisë.
Themeluesja e partisë Iyi, Meral Aksener, konsiderohet një kundërshtare serioze e Erdogan, e cila ka shpallur tashmë kandidaturën e saj. Ajo mund të kandidojë në zgjedhjet presidenciale vetëm pas propozimit nga 20 deputetët që tashmë i ka.
Ndërsa për kandidatët pa parti politike, nevojiten 100 mijë firma.
Një vit më parë, Erdogan fitoi me vështirësi një referendum për ndryshimin e formës së qeverisjes në vend, në një presidencë ekzekutive, duke i dhënë presidentit më shumë fuqi. Por, ndryshimi do të hyjë në fuqi vetëm pas zgjedhjeve të radhës.