Udhëheqësi autoritar i Turkmenistanit i ka urdhëruar ekspertët që përfundimisht të gjejnë një mënyrë për ta shuar zjarrin masiv, që ka nisur para rreth pesë dekadave, në një krater gjigant të gazit natyror, i quajtur edhe “Porta për në Ferr”.
Duke i përmendur shqetësimet mjedisore dhe ekonomike, Presidenti Gurbanguly Berdymukhamedov u paraqit në televizionin shtetëror të shtunën duke u thënë zyrtarëve që ta shuajnë zjarrin në kraterin e gazit “Darvaza”, që gjendet në mesin e shkretëtirës së madhe, Karakum.
Të njëjtën kërkesë presidenti turkmen e kishte pasur për ekspertët edhe në vitin 2010 – që të shuhen flakët e nisura që nga koha kur një operacion sovjetik i shpimit të tokës kishte shkuar keq, më 1971, shkruan France24, përcjell Gazeta Express.
Sipas presidentit të këtij shteti, krateri i krijuar nga njerëzit “ndikon negativisht në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve që jetojnë afër tij”.
“Jemi duke humbur burime të çmueshme natyrore, për të cilat do të mund të merrnim fitim të konsiderueshëm, dhe do të mund t’i përdornim ato për përmirësimin e mirëqenies së popullit tonë”, tha presidenti në televizionin shtetëror.
Zjarri në gropën e madhe nuk është shuar nga viti 1971 dhe përpjekjet për ta shuar atë në të kaluarën kanë dështuar. Gropa është 70 metra e gjerë dhe 20 metra e thellë dhe shërben edhe si atraksion turistik në shtetin që dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.