Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur pak pas mesditës së të martës në alpet mes Valbonës dhe Thethit.
Disa turistë kanë humbur rrugën dhe më pas dyshohet se kanë rënë në një greminë. Nga të dhënat e para dyshohet se një prej turistëve ka humbur jetën.
Policia e Tropojës njoftoi se ka marrë njoftim nga kolegët e Shkodrës, që në kufirin mes Thethit dhe Valbonës, dyshohet se dy turistë gjermanë, duke eksploruar zonën, janë dëmtuar rëndë.
“Për t’u ardhur në ndihmë turistëve, janë nisur shërbimet e Policisë të Komisariatit Tropojë dhe Shkodër, si dhe është njoftuar spitali i Tropojës, për të nisur ekipin mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Aksidentet në alpe janë një fenomen i shpeshtë për shkak të terrenit të vështirë si edhe faktit që frekuentohen nga një numër i madh vizitorësh thuajse gjatë gjithë vitit. Më herët, në një aksident të ngjashëm ndërroi jetë edhe alpinisti Ndoc Mula.