Ditën e premte pritet të mbahet seanca përfundimtare ndaj dy Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiuy, të akuzar për vrasjen e Marigona Osmanit.
Përmes një komunikate për media, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar tubim para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku do të kërkohet drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për dy të akuzuarit.
“Këtë të premte mbahet seanca përfundimtare ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit. Për t’u siguruar që kërkesa jonë për drejtësi të jehojë edhe të premtën para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ne mblidhemi nga ora 10:30 para dyerve të Gjykatës për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit”, thuhet në komunikatë.
Nisja nga Prishtina bëhet në mënyrë të organizuar në orën 09:30 nga pompa e benzinës te rrethi i flamurit dhe sipas njoftimit të gjithë ata që dëshirojnë të bashkëngjiten mund të kontaktojnë organizatën.
Ndryshe, aktgjykimi për vrasjen e Marigona Osmanit do të shpallet të premten, më 4 gusht. Seanca do të mbahet me fillim nga ora 11:00.
Në seancën e fjalës përfundimtare, Krivaqa ka shprehur keqardhjen për atë që ka ndodhur duke pohuar se do të donte ta kthente kohën pas.
Sipas aktakuzës, më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e Krivaqa e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ai ishte në bashkësi jashtëmartesore.