Presidenti amerikan Donald Trump dominoi ciklin e lajmeve gjatë fundjavës me ndryshimet e tij të herëpashershme për tarifat. Të dielën Trump u tha gazetarëve se tarifat për gjysmëpërçuesit do të “ndodhin në një të ardhme shumë të afërt”, por shfaqi njëfarë “fleksibiliteti” përsa i përket tarifave për produkte si iPhone dhe tabletë, duke shtuar më shumë pasiguri në një proces tashmë të shpejtë të vendosjes së tarifave për mallrat kineze, raporton CNN, transmeton Gazeta Papirus.
Përjashtimi për teknologjinë është i përkohshëm: Komentet e Trump ka të ngjarë ta zbehin optimizmin për kompanitë teknologjike dhe investitorët, i shkaktuar nga një përjashtim tarifor për elektronikë kyçe që u njoftua nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së të premten. Shumica e këtyre artikujve vijnë nga Kina, me të cilën Shtëpia e Bardhë është e përfshirë në një luftë tregtare në përshkallëzim.
Komentet e Trump pasqyruan ato të Sekretarit të Tregtisë Howard Lutnick, i cili tha se përjashtimet janë vetëm një lehtësim i përkohshëm dhe se këto produkte do të përballen me tarifa të veçanta.
Trump theksoi gjithashtu se askush nuk po “i shpëton” luftës së tij tregtare.
Reagimi i tregut: Tregjet globale të aksioneve u rritën të hënën pas përjashtimit të përkohshëm.
Kritika dhe shqetësime: Senatorja demokrate Elizabeth Warren kritikoi qasjen e Trump ndaj tarifave si “dritë e kuqe-dritë e gjelbër”. “Askush nuk mund të kuptojë se cilat do të jenë rregullat pas pesë ditësh, e lëre më pas pesë vjetësh”, tha Warren në emisionin “State of the Union” në CNN.
Ish-Sekretari i Thesarit Larry Summers tha në emisionin “Fareed Zakaria GPS” në CNN se politika tarifore është “plaga më e rëndë e shkaktuar vetë nga politika ekonomike” që nga Lufta e Dytë Botërore.
Dhe miliarderi investitor Ray Dalio i tha emisionit “Meet the Press” në NBC se SHBA është “shumë pranë një recesioni”. Dalio i quajti politikat tregtare të Trump si “shumë përçarëse” deri tani, megjithëse pranoi se ato “mund të jenë pjesë e një procesi”