Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka folur për ndarjen e fondeve të USAID-it dhe përdorimin e tyre në mbarë botën, duke përmendur edhe Kosovën dhe vende të ndryshme nëpër botë. Në listën e tij ka qenë edhe Serbia.
Në një konferencë për media mbajtur në Florida, ai ka theksuar se dy milionë dollarë janë alokuar për zhvillimin e “modeleve të qëndrueshme të riciklimit” në Kosovë, me qëllim për të rritur kohezionin socio-ekonomik dhe për të përmirësuar kushte jetese për komunitetet e margjinalizuara.
Trump shpjegoi se këto fonde janë të dedikuara për grupe të tilla si ashkali dhe egjiptianët në Kosovë, dhe qëllimi është të krijohet një ambient më i qëndrueshëm.
”…2 milionë dollarë për të zhvilluar modele të qëndrueshme të riciklimit për të rritur kohezionin socioekonomik në mesin e komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë si ashkali dhe egjiptian”.
Trump ka përmendur edhe14 milionë dollarë për përmirësimin e prokurimit publik në Serbi derisa ka vazhduar edhe për paratë që qeveritë amerikane i kanë dhënë edhe për vende tjera, duke ironizuar me 20 milionët për Indinë të cilës i janë ndarë para për dalje të njerëzve atje në zgjedhje.
“Pse po i japim miliona Indisë, ata kanë shumë para, 20 milionë për daljen e tyre në votime…”.
“Të gjitha këto janë mashtrime …po flasim për qindra miliarda dollarë. Mund t’i lexoj këto gjithë ditën mund të vazhdojë gjithë ditën…”, ka shtuar ai.
Tutje, numri një i SHBA’së ka folur edhe për sigurimet sociale në Amerikë duke thënë se administrata e tij është duke punuar që ta përmirësojë Sigurimin Social.
Sipas tij, ka shumë mashtrime me shifrat aty.
“Miliona njerëz janë 100 vjet të vjetër. Secili e di se kjo s’është kështu” ka thënë Trump.
“Kemi një vend shumë të korruptuar, shumë të korruptuar. Është një gjë pikëlluese që të thuhet por këtë po e shohim tani” ka thënë Trump./Express/
Fjalimin e Trump për shpenzimet e USAID-it në Kosovë mund ta ndiqni nga minuta 26.