Një tjetër vrasje e rëndë ka tronditu sot në mëngjesin e hershëm Kosovën.
Një person ka mbetur i vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në fshatin Runik të Skënderajt.
Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Nacionale zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, ka thënë Zahiti.
“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore . Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, ka thënë ai më tutje.
Deri më tash nuk dihen arsyet e as rrethanat.
Kosova është tronditur në jaën e fundit nga një tragjedi që ndodhi në lokalin Bon Vivant, ku mbeti i vrarë një person e u lënduan dhjetëra të tjerë.
Vetëm para dy ditësh, një tjetër vrasje ndodhi në Klinë.