Verën e kaluar, katër persona në Siegen rrezikuan jetën për të ndaluar një grua të dyshuar për tentativë vrasjeje të shumëfishtë, transmeton albinfo.ch. Gjashtë persona u plagosën në sulmin me thikë në një autobus gjatë festivalit të qytetit të Siegenit.
Një grua 32-vjeçare, e cila po udhëtonte drejt vendit të festës, akuzohet se sulmoi papritur pasagjerët e tjerë me thikë. Tri gra me origjinë nga Kosova dhe një shtetas sirian u përpoqën ta ndalonin.
Ata tani janë nderuar për guximin e tyre civil. Në zyrën e distriktit të Siegenit, administratori Andreas Müller iu dorëzoi shpëtimtarëve certifikata për angazhimin e tyre, shkruan wdr.de: “Me veprimet e tyre, ata jo vetëm që janë modele të vërteta për t’u ndjekur, por në të njëjtën kohë kanë rrezikuar jetën për të parandaluar pasoja edhe më të këqija.”
Në rastin e sulmit, njëra nga gratë kosovare mbrojti fëmijën e saj, i cili ishte ulur në një karrocë foshnje. Dy gratë e tjera dhe burri e ndihmuan atë dhe mposhtën 32-vjeçaren, e cila tashmë kishte goditur pasagjerë të tjerë pa dallim. Tre nga të plagosurit ishin në gjendje kritike.
Policia u njoftua dhe arriti ta arrestonte gruan në vendngjarje.
“Është e paimagjinueshme çfarë dramatikash ndodhën në autobus. Pavarësisht dinamikës, ju të gjithë morët vendimin e përbashkët për të ndihmuar qeniet njerëzore. Për këtë, dua t’ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë,” u shpreh administratori i qarkut, Andreas Müller.
Tri gratë dhe burri që morën mirënjohje kërkuan të mbeten anonimë; prandaj as emrat e as fotot e tyre nuk janë publikuar.
Vendimi kundër sulmueses së dyshuar pritet të mërkurën. Ajo përballet me dënim me burgim të përjetshëm.