Janë të paktën 59 persona, përfshirë tre të mitur, viktimat e zjarrit që shpërtheu në një klub nate në Koçan, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Mbi 150 janë lënduar dhe po trajtohen në spitale të ndryshe të vendit.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski tha se deri më tani kanë identifikuar më shumë se 20 të mitur të lëndruar, ndërsa nga zjarri tragjik kanë humbur jetën edhe tre të mitur.
Në diskotekë ai tha se ishin 500 persona, ndërsa ishin shitur 250 bileta.
“Emrat e të ndjerëve do t’u jepen familjeve pas përfundimit të identifikimit. Shumica prej tyre janë të identifikueshëm”, tha Toshkovski në një konferencë për media.
Ai tha se 22 persona janë në gjendje kritike, dhe se disa prej tyre do të transportohen me avion drejt Turqisë, Bullgarisë dhe Greqisë.
“Sot Maqedonia po vajton, por përgjegjësi do të ketë për secilin nga të korruptuarit, të papërgjegjshmit dhe të gjithë ata që kanë ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në këtë ngjarje kriminale”, tha Toshkovski.
Toshkovski gjithashtu tregoi se janë mbi 20 persona janë të dyshuar për këtë rast. Mes tyre, disa tashmë kanë vdekur, e disa janë në spital.
“Ne kemi katër persona në spital, dy anëtarë të bendit, djalin e pronarit të diskotekës dhe menaxherin e personit juridik që e menaxhonte diskotekën”, tha ministri.